Bekim Jashari dhe Lista IDEAL me aktivitete shënojnë 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Bekim Jashari, djali i heroit tonë kombëtar, Hamëz Jashari, në shënim të 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka uruar qytetarët për këtë festë, duke kujtuar  luftën dhe sakrificën e atyre që dhanë jetën për Lirinë dhe Pavarësinë tonë.

Postimi i plotë:
“Në shënim të 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, bashkë me deputetin, Bekim Haxhiu, asambleistë të listës sonë, bashkëpunëtorë, veteran të UÇK-së dhe qytetarë, bëmë nderime para shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari si dhe homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe Kompleksi Memorial i Dëshmorëve në Marinë.
Sot në 14 vjetorin e shtetësisë sonë, me respekt e nderime të larta kujtojmë të gjithë ata që në një apo formë tjetër kontribuan në Lirinë dhe Pavarësinë e shtetit tonë.
Kujtojmë e nderojmë luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, kujtojmë masakrat mbi civilët në Qirez e Likoshan, Abri, Izbicë, Rezallë, Reçak, Studime, Dubravë, Krushë e Madhe, Has e masakra tjera mbi popullin e pafajshëm e liridashës shqiptar.
Kujtojmë e nderojmë sakrificën e invalidëve të UÇK-së e viktimat civile të luftës sonë çlirimtare.
Sot falënderojmë NATO-n dhe shtetet mike të popullit tonë, të cilat mbështetën dhe vlerësuan luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pavarësinë dhe zhvillimin e integrimin e shtetit tonë.
Mirënjohje e thellë për diasporën tonë, për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në luftën tonë të përbashkët dhe sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar për ndalimin e gjenocidit serb mbi popullin tonë dhe mbështetjen e luftës sonë për liri e Pavarësi.
Sakrifica shekullore e popullit tonë, lufta dhe gjaku i derdhur nder shekuj është bazamenti i shtetit tonë demokratik, të ndërtuar me shumë mund e sakrificë.
Të rënët në altarin e pavdekësisë, sollën Lirinë e Pavarësinë. Ne, jetësojmë amanetin e tyre, duke zhvilluar shtetin!
Të dashur qytetarë, urime 14 vjetori i Pavarësisë së Kosovës!
Lavdi gjithë të rënëve për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës!
Gëzuar!” /RTV Okarina/