Qeveria e Kosovës në tetor të këtij viti miratoi koncept-dokumentin për Vettingun në drejtësi, përmes të cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.
Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
Grupi punues i themeluar nga Ministria e Drejtësisë, në koncept-dokumentin e hartuar, ka sugjeruar “vetting-un me ndryshime kushtetuese nga një trup ad-hoc dhe i njëjti më pas vazhdon vlerësimin e vazhdueshëm në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës”.
E këtë proces, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e sheh si shqetësim serioz. Kështu kanë deklaruar nga zyra e BE-së në një përgjigje për Telegrafin, duke thënë se një proces i tillë duhet të konsiderohet si masë e jashtëzakonshme vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha mekanizmat e tjerë.
“Raporti për Kosovën vë në dukje me shqetësim serioz paraqitjen e mundshme të një rivlerësimi të plotë të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve në Kosovë. Një proces i tillë verifikimi duhet të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme e fundit; që do të thotë se duhet të merret parasysh vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të garantuar integritetin e titullarëve të funksioneve gjyqësore dhe për të luftuar korrupsionin”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së në Kosovë.
Më tej është thënë se çdo proces verifikimi duhet të jetë gjithashtu në përputhje me standardet evropiane.
“Çdo proces verifikimi duhet të jetë gjithashtu në përputhje me standardet evropiane. Për këtë arsye Komisioni i Venecias duhet ta vlerësojë atë sa më shpejt të jetë e mundur. Ky Komision është një organ këshillues dhe trup i Këshillit të Evropës në fushën e së drejtës kushtetuese”, kanë deklaruar nga zyra e BE-së.
Të pyetur se cili do të jetë roli i Bashkimit Evropian në procesin e Vettingut në drejtësinë kosovare, nga Zyra e BE-së për Telegrafin janë shprehur se BE-ja gjithmonë ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë të gjitha përpjekjet për të siguruar që populli i Kosovës të marrë drejtësi të drejtë, efikase dhe të paanshme.
“Kohët e fundit kemi dëgjuar shumë komente për procesin, edhe në lidhje me qëndrimin e BE-së për këtë. BE-ja gjithmonë ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë të gjitha përpjekjet për të siguruar që populli i Kosovës të marrë drejtësi të drejtë, efikase dhe të paanshme. Mjetet për ta arritur atë janë po aq të rëndësishme sa edhe objektivi përfundimtar: kjo është pikërisht arsyeja që për BE-në, një verifikim i plotë mbetet vërtet një masë e jashtëzakonshme. Është gjithashtu e rëndësishme që të shmangen shqetësimet në funksionimin e sistemit të drejtësisë. Ne do të vazhdojmë dialogun tonë me Qeverinë për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, së fundmi ka kritikuar planin e Qeverisë së Kosovës që të bëjë Vetting, duke vlerësuar se një gjë e tillë është “burim serioz i shqetësimit”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mospajtimin me këtë konstatim të Komisionit Evropian, duke thënë që procesi i Vetting-ut “do të jetë i vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës” dhe se “mosrealizimi i vetting-ut nuk u kontribuon as përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për garantimin e sundimit të ligjit dhe as së ardhmes evropiane” të vendit.
\RTV-Okarina\