Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, u bëri thirrje palëve që të respektojnë ‘status kuo-në’ e vendeve të shenjta në Kuds, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për përplasjet dhe dhunën e fundit, përfshirë ato në këtë mëngjes brenda dhe përreth Haram al-Sharif ose Malit të Tempulli”, tha Borrell në një konferencë për media pas takimit të kryediplomatëve të vendeve të BE-së.
Borrell po ashtu përsëriti deklaratat e mëparshme të bllokut evropian duke dënuar dëbimin e familjeve palestineze nga lagja Sheikh Jarrah dhe zonat e tjera të Kudsit Lindor të pushtuar.
Ai theksoi se këto veprime janë “çështje shqetësuese serioze” për BE-në pasi janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe “vetëm shkaktojnë tensione në terren”.
“Me rëndësi është që gjithçka që është e mundur të bëhet për të shmangur nxitjen e tensioneve”, theksoi Borrell, duke mirëpritur vendimin e autoriteteve izraelite për të ndaluar adhuruesit hebrenj të hyjnë në zonë si një hap “pozitiv që mund të qetësojë situatën”.
Forcat e sigurisë izraelite të armatosura rëndë mëngjesin e sotëm përsëri sulmuan kompleksin e xhamisë Al-Aksa, duke përdorur plumba gome, gaz lotsjellës dhe shok-bomba ndaj palestinezëve, duke lënë të plagosur qindra prej tyre.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë zonën “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se në kohërat antike ishte vendi i dy tempujve hebrenj.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967. Ai aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, në një lëvizje që kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.
\RTV-Okarina\