Të enjten dhe të premten janë mbajtur takime të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asocim, Bashkim Evropian-Kosovë, ndërsa sot në një konferencë për media, eurodeputeti gjerman, Romeo Franz ka thënë se BE-ja duhet të mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Franz në një konferencë të përbashkët me deputeten Mimoza Kusari – Lila, ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin tha se duhet të ecë përpara dhe se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen.
“… Procesi i dialogut në mënyrë urgjente duhet të ecë përpara dhe duke ecur përpara, nënkupton që duhet shikuar drejt të ardhmes dhe të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani duhet të zbatohen…. Pozicioni i BE-së është tejet i qartë, pa progres në dialog, perspektiva evropiane si për Kosovën, si për Serbinë do të mbetët vetëm perspektivë”, tha ai.
Ne jemi të vetëdijshëm që ju takon në veçanti shteteve anëtarë të BE-së që t’i përmbushin premtimet e dhëna dhe që përfundimisht ta japin liberalizimin e vizave për kosovarët, që është zgjatur tej mase që nga vendimi i Komisionit Evropian në vitin 2018, ku Kosova ka mbetur në pritje që tri vjet e gjysmë, tha ai.
“Parlamenti Evropian jemi aleatët tuaj më të fuqishëm, ne punojmë vazhdimisht që t’i bindim shtetet hezituese që të ndërrojnë mendimin, është çështje kohe…” tha ai.
Ai më tej tha se kredibiliteti i BE-së është në pikën më të ulët për shkak të mosmbajtjes së premtimit.
Ndërsa, deputetja Mimoza Kusari-Lila u shpreh se çështja e liberalizimit të vizave me atë të zbatimit të MSA-së duhet të jenë të ndara.
“Po ashtu e paevitueshme dhe shumë me peshë ishte çështja e liberalizmit të vizave, në të cilën delegacioni i përbashkët BE-Kosovë i Komisionit parlamentar për Stabilizim- Asocim, njëzëri shprehu keqardhje se ende qytetarët e Republikës së Kosovës bartin pasojat dhe barrën më të rëndë për mos liberalizimin e vizave, e jo për fajin e tyre”, tha ajo.
Deputetja Kusari Lila njoftoi po ashtu se është nënshkruar një deklaratë me rekomandime të përbashkëta, ku mirëpritet përkushtimi i Kosovës në rrugën evropiane.
Ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilën tha se duhet të rezultojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Kusari-Lila falënderoi BE-në për asistencën e ofruar për përballje me pandeminë.
\RTV-Okarina\