”BKT” Superliga e Kosovës ka zhvilluar dhe xhiron e tretë këtë sezon të ri të garave.
Ballkani, Drenica e Drita edhe këtë xhiro fituan ndeshjet e tyre.
Ballkani 3-2 Ulpiana
Ballkani ka fituar në frymën e fundit në Therandë.
Golin e parë për vendasit e realizoi Armend Thaqi, kurse Astrit Thaqi e dyfishoi rezultatin në të 53-tën. Por musafirët barazuan rezultatin me anë te Selimit dhe Shalës. Kur u mendua se ndeshja do të përfundonte në barazim në sken doli Rustem Hoxha i cili realizoi golin e fitores në minutën e dhjetë shtesë për fitoren 3-2.
Drenica 2-1 Prishtina
Drenica ka mposhtur kampionin në fuqi dhe rrugëton pa humbje në këtë edicion. Në stadiumin ”Bajram Aliu” ndeshja u dominua nga vendasit që me meritë morën pikët e plota.
Golin e parë e realizoi Denisson në minutën e 10-të, kurse Zabërgja e dyfishoi rezultatin në të 64-tën. Kurse për kryeqytetasit realizoi Oto John në të 73-tën.
Prishtina e ka bërë një nisje katastrofike të sezonit, kurse drenicasit po luajnë një futboll të bukur i cili po përkthehet edhe në rezultate pozitive.
Malisheva 0-1 Drita
Malisheva këtë fillim-sezoni po iu shkakton shumë probleme kundërshtarëve të vet, por Drita fitoi në fund të ndeshjes. Heroi i gjilanasve ishte sërish Ardit Tahiri i cili realizoi në minutën e 84-të.
Gjilani 0-0 Dukagjini
Ndeshja e vetme e kësaj xhiro e cila përfundoi pa gola ishte ajo ndërmjet Gjilanit dhe Dukagjinit.
Të dy skuadrat kishin mundësitë e tyre, por asnjëra nuk arriti t’i konkretizonte rastet e krijuara dhe kështu dy skuadrat ndajnë pikët.
Llapi 0-2 Feronikeli
Skuadra nga Drenasi mori një fitore komode në Podujevë duke mposhtur Llapin 2-0.
Golin e parë për musafirët e realizoi Dren Gashi në minutat shtesë të pjesës së parë, kurse golin e dytë e realizoi Diar Prokshi në të 64-tën duke e vulosur ndeshjen.
Tabela pas javës së tretë në ”BKT” Superligë
1. Ballkani 7 pikë
2. Drenica 7 pikë
3. Drita 7 pikë
4. Gjilani 5 pikë
5. Malisheva 4 pikë
6. Feronikeli 3 pikë
7. Dukagjini 2 pikë
8. Llapi 2 pikë
9. Prishtina 1 pikë
10. Ulpiana 1 pikë
\RTV-Okarina\