Mediat beogradase kanë mbushur ballinat e tyre me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka shprehur zhgënjimin e tij me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe me 3 prill edhe në Kosovë.
Sipas tij, Qeveria e Albin Kurtit kërkoi që Serbia ta njeh shtetin e ri të Kosovës.
“Në marrëveshjet për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë më 3 prill, ne ramë dakord për kompromise të shumta, të kërkojmë bashkëpunim nga Kosova, që Prishtina t’i mundësojë OSBE-së të punojë, madje në fund thamë të caktohet një oficer ndërlidhës i Serbisë. Qeveria. Asgjë nuk u mjaftoi, ata kërkuan që ne de facto ta njohim Kosovën për të lejuar zgjedhjet”, u shpreh ai, transmeton Indeksonline
Vuçiq, pas një seance disa orëshe të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe bisedimeve me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, theksoi se serbët e Kosovës kanë vendosur që të nisin protestat paqësore të premten kundër vendimit të autoriteteve të Prishtinës për ndalimin e votimit të tyrem shkruan “IndeksOnline”.
“Gjatë bisedimeve të vështira dhe komplekse me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova dhe Metohia, të cilët disa herë ishin shumë të emocionuar, ata njëzëri kërkuan jo vetëm largimin e të gjitha institucioneve në krahinë, por edhe 435 policë serbë që të linin armët. Vuçiq nuk ishte më i lumtur për shkak të propozimit dhe i pyeti se çfarë do të bëjmë të nesërmen”.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se me kërkesën që Qeveria serbe t’i drejtohet asaj të Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, nuk ka synuar që të sjellë njohjen e pavarësisë nga Serbia.
“Unë kurrë nuk kam synuar që nëpërmes këtij letërkëmbimi ta sjell njohjen e Serbisë. Unë e kam ditur që kjo nuk bëhet, mirëpo nuk mund të kërkojë askush prej meje që unë të mos e njoh Republikën e Kosovës, pavarësinë e vendit tonë”, tha Kurti në një intervistë për transmetuesin publik të Kosovës.
Kurti tha se ai ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Ai tha se Beogradi nuk ka pranuar që Qeveria e tij t’i dërgojë kërkesë ekzekutivit kosovar, por ka tentuar që këtë ta bëjë në nivel të zyrtarëve ndërlidhës.
“Ne kemi thënë që zyrat ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd do të mund të shfrytëzoheshin si kanale logjistike të komunikimit, mirëpo komunikimi normal duhet të jetë qeveri me qeveri. Në vend se të drejtohen qeveri me qeveri, ata kanë synuar që të jetë zyrtari ndërlidhës me zyrtarin ndërlidhës”, tha Kurti.