Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha që propozojnë që nga e hëna të fillojë mësimi fizikisht në shkolla.
Bajrami gjatë seancës së sotme ku po diskutohet për gjendjen e arsimit, theksoi se Ministria e Arsimit duhet të marrë vendim të zhvillohet mësimi në objekte shkollore dhe në orar të plotë.
“MASHT-i të marrë vendim që mësimi të zhvillohet në objekte shkollore dhe në orar të plotë pasi rezultatet e mësimdhënësies janë në varshmëri të plotë me kohën që nxënësit e kalojnë me mësimdhënësit e tyre. MASHTI-i duhet të hartojë strategji edhe me organizim e shkollave verore në mënyrë që të kompensojnë humbjet”, u shpreh ajo.
Tutje Bajrami theksoi që pasojat e pandemisë do të përcillen tek këto gjenerata edhe në kohën e punësimit të tyre.
“Të gjitha të dhënat tregojnë që pandemia shkakton humbje të mësimit, mësimnxënies dhe kjo situatë përcillet me efekte të gjata negative siç janë humbjet që do të përcillen me mundësi më të vogla të punësimit në të ardhmen dhe me të ardhura më të vogla gjatë punësimit të këtyre gjeneratave. Ne kërkojmë nga ju që të bëni një strategji”, tha ajo.