Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka akuzuar Prokurorinë e Dhomave të Specializuara për punë të paorganizuar.
Emmerson ka thënë se nxjerrja e materialeve nga ana e Prokurorisë po bëhet në mënyrë të padobishme
“Situata në përgjithësi është kështu, mënyra sesi po bëhet nxjerrja e materiale është mënyra më e padobishme duke i pamundësuar mbrojtjes të bëjë hetimet e saja. E gjithë kjo punë po bëhet në mënyrë të pa organizuar”, ka thënë Emmerson.
Avokati Emmerson ka shtuar se kjo po bëhet me qëllim.
“Unë nuk dua të kemi asnjë lloj keqkuptimi për këtë pengesë të jashtëzakonshme që na është krijuar nga mënyra sesi po e bënë Prokuroria. Kjo është e qëllimshme dhe këtë mund ta shikojmë edhe te parashtrimi që bëri Prokuroria që tha se lidhjet me dëshmitarët nuk mund të bëhen”, u shpreh Emmerson.
Ai ka shtuar se kjo është mënyrë kautike dhe e paprecedent e paraqitjes së materialeve.
“Janë 34 vende që pretendohet se janë kryer krimet dhe aty askund nuk përmendet që Veseli ka kryer ndonjë krim. Aty nuk ka asnjë fije provë kundër tij. Prokuroria është mirë të na thotë se ku qëndron problemi i përgjithshëm. Deri sa të na thonë ata se ku është ky problem ne mbetemi në errësirë”, tha Emmerson.
Emmerson tha se “Prokurori Smith duhet të na thotë qartësisht se çfarë do të bëjë dhe çfarë do të arrij me këtë sasi të madhe të materialeve” Ai tha se Prokuroria ende nuk e ka kuptuar vetë se çfarë çështje ka ngritur.