Në ditën Ndërkombëtare të lirisë së medieve, Avokati i Popullit Naim Qelaj ka deklaruar që liria dhe siguria e gazetarëve është një ndër elementet thelbësore të një shoqërie demokratike.
Ai ka përmendur rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, derisa ka thënë se kjo situatë duhet të jetë prioritet për autoritetet përgjegjëse.
Sipas tij, pandëshkueshmëria e këtyre rasteve nuk bënë të tolerohet sepse inkurajon nxitësit të cenojnë të drejtën për informim dhe lirinë për tu shprehur.
Qelaj ka potencuar që sistemi i sigurisë dhe i drejtësisë duhet t`i trajtojë me prioritet dhe t’i zgjidhë në mënyrë efektive rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.
Këtë ditë që po shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit sjellim në vëmendje lirinë e shtypit dhe sigurinë e gazetarëve të cilat janë një ndër elementet thelbësore të një shoqërie demokratike.
Liria e shtypit dhe e shprehjes është e garantuar me Kushtetutë të Republikës së Kosovës dhe duhet të jetë në qendër të çdo debati që mëton të respektojë pluralizmin medial dhe ruajtjen e pavarësisë redaktuese.
Me fillim të këtij viti është sulmuar fizikisht një gazetar, ka pasur kërcënime, gjuhë linçuese dhe pengim në detyrë ndaj gazetarëve që bëhen shënjestër për shkak të raportimit të tyre për parregullsitë në shoqëri. Kjo situatë duhet të jetë në prioritet të të gjitha autoriteteve përgjegjëse që të sigurojnë që kryerësit e këtyre veprave të përballen me drejtësinë. Pandëshkueshmëria e këtyre rasteve nuk bënë të tolerohet sepse inkurajon nxitësit të cenojnë të drejtën për informim dhe lirinë për tu shprehur.
Pandemia COVID-19 ka sjell telashe ekonomike po ashtu edhe për shtëpitë mediale të cilat për shumicën, në mos të gjitha, janë plotësisht të varura nga të ardhurat nga reklamat që të sigurohen aktivitetet e tyre e të cilat rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare. Përkundër kësaj situatë të rëndë, gazetarët po ashtu kanë qenë në vijë të parë të frontit në mënyrë që të sjellin informacionet e reja për qytetarët për gjendjen e pandemisë në vend.
Avokati i Popullit, fton Institucionet e vendit që të fuqizojnë aktivitetet për të siguruar transparencë të vazhdueshme në funksion të llogaridhënies publike, të respektojnë ligjin për qasje në dokumente publike dhe qasje në informacion si një e mirë publike. Ndërsa, sistemi i sigurisë dhe i drejtësisë t`i trajtojë me prioritet dhe t’i zgjidhë në mënyrë efektive rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.
\RTV-Okarina\