Automjetet ushtarake ruse kanë hyrë në Ukrainë përmes Krimesë, sipas një videoje të publikuar nga Roja Kufitare e Ukrainës.
Megjithatë, siç shkruan CNN, përcjell Telegrafi, është e paqartë se nga cili vendkalim kufitar hyjnë automjetet në Ukrainë – Chongar në lindje ose Kalanchak në perëndim.
Roja Kufitare e Ukrainës tha për CNN në një deklaratë më herët se kufijtë e tyre u sulmuan nga Rusia dhe Bjellorusia, “me përdorimin e artilerisë, pajisjeve të rënda dhe armëve të vogla”.
Ndryshe, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se trupat e tij do të ndërmarrin veprime në rajonin e Ukrainës të kontrolluar nga separatistët, të cilin ai e shpalli të pavarur këtë javë.
Por ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleb, ka shkruar në Twitter se Putini ka nisur “pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës”.
“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulme. Kjo është një luftë agresioni. Ukraina do të mbrojë veten dhe do të fitojë. Bota mund dhe duhet ta ndalojë Putinin. Koha për të vepruar është tani”, ka shkruar ai në Twitter.