“Asnjë investitor serioz nuk e solli Qeveria Kurti 2”


Për një vit të qeverisjes Kurti 2, nuk është regjistruar as edhe një investitorë serioz me kapital të huaj në Kosovë. Përkundër premtimeve të partisë në pushtet, nuk ka pasur progres në hapjen e vendeve të reja të punës dhe as në uljen e shkallës së varfërisë.

Kështu kanë vlerësuar punën një vjeçare të kryeministrit Albin Kurti, profesorë universitar të ekonomisë, ani se ata konsiderojnë që kjo qeveri në këtë periudhë nuk ka pasur afera korruptive.

Krahas ngecjeve, po cilësohet se qeveria aktuale nuk ka shënuar përparim as në sektorin e arsimit, për rritjen e cilësisë dhe hapjen e shkollave profesionale.

Profesoresha universitare, Albulenë Kastrati duke përmendur tri krizat me të cilat u përballë kjo qeveri, pandeminë, energjinë dhe tash me çmimet enorme për produktet esenciale ushqimore, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, ka thënë për KosovaPress, se kjo qeveri ka dështuar të sjellë investitorë të huaj dhe të rrisë numrin e punësimit në Kosovë.

“Përkundër shpërndarjes së bursave ndaj studentëve, unë akoma nuk po shoh një strategji nacionale, një vend kombëtar për orientimin e rinisë, për lidhjen e arsimit me punësimin, për krijimin e shkollave profesionale. Pastaj, e dimë që ka kaluar vetëm një vit, dhe nuk kemi pritë që tash Kosova do të mbushet me investitorë të huaj, por të paktën kemi pritë që Qeveria Kurti të paktën të sjellë një investitorë të madh deri tash, që sjellë në Kosovë para e që i hap të paktën 1 mijë vende të reja të punës. Mandej, investimet janë të lidhur jo vetëm me kapacitetin ekonomik, por janë të lidhura edhe me punësimin. Kjo qeveri ka ardhur me premtimin se do të rrisë punësimin e të rinjve, por në këtë fushë nuk kemi parë ndonjë progres të theksuar dhe akoma nuk po shohim. Po ashtu, edhe në fushën e drejtësia, çështja e vettingut, edhe ajo që është aktuale është menaxhimi i menjëhershëm i tri krizave, krizës pandemike, energjetike dhe tash rritjes së çmimeve”, thekson ajo.

Ndërsa, profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku ka thënë për KosovaPress, se përkundër që Kosova ka një shkallë të lartë të varfërisë, dhe të papunësisë, vendi që nga paslufta vazhdon të dështojë në zhvillimin e tre sektorëve kyç siç janë shëndetësia, edukimi dhe energjia.

“Janë krijuar disa iniciativa, por Kosova vazhdon të ballafaqohet me varfëri të theksuar, papunësi dhe ajo që i mundon qytetarët, vazhdon të ballafaqohet me një mbrojtje sociale jo adekuate. Qeveria ende nuk ka treguar guxim për reformën në sistemin e mbrojtjes sociale. Ne ende vazhdojmë në bazë të disa skemave sociale që origjinën e kanë nga UNMIK-u. Prandaj, është koha e fundit që të mendohet seriozisht… Kosova tash e 23 vjet pas luftës nuk ka arrit që t’i zgjidh problemet në tre sektorë kyç, në shëndetësi, në edukim, dhe në energjetikë. Prandaj, fokusi i qytetarëve do të jetë se si do të bëhen lëvizjet në këta tre sektorë në mënyrë që Kosova të kalojë në faza dhe zhvillim më të pranuar(qëndrueshëm)”, thotë ai.

Ndërsa, sa i përket arritjeve të kësaj qeveri brenda një viti, profesoresha Albulenë Kastrati thekson se janë parandaluar aferat e mëdha korruptive, janë respektuar pak më shumë të drejtat e konsumatorit, si dhe janë furnizuar me barna të shtrenjta spitalet e vendit.

“Një prej të arriturave kryesore të kësaj qeverie, është se fillimisht ka ndërrua mendësia prej një mendësie për ndarjen e ‘pites’, në një mendësi ku bëhet menaxhimi i parasë publike në mënyrë të përgjegjshme. Nuk ka afera korruptive, madje janë arrestuar disa persona për korrupsion. Është aktivizuar Inspektorati i Tregut, kanë filluar të respektohen pak a shumë të drejtat e konsumatorit, pastaj në fushën e arsimit, është më rëndësi që janë ndarë 1 mijë bursa për vajza dhe bursa të tjera për përkrahjen e studentëve. Janë bërë disa lehtësime në fushën e bujqësisë, me subvencione. Edhe çka është shumë me rëndësi, sidomos QKUK-ja që duhet me qenë të furnizuara me barna për sëmundje kronike, ato që kanë munguar tash e 20 vjet, me ardhjen e kësaj qeverie tash spitalet janë të furnizuara, është fjala për barna që kushtojnë 50-60 euro një kuti”, theksoi ajo.

Profesori tjetër universitar, Muhamet Sadiku ka çmuar vendosmërinë e kësaj qeverie për reforma në drejtësi.

“Meqenëse kemi të bëjmë me një periudhë 1-vjeçare dhe duke pasur parasysh se Kosova vazhdon të trashëgojë një mori të madhe të problemeve ekonomike sociale e politike. Po ashtu, duke pasur parasysh pritjet e mëdha të opinionit për ndryshime, madje edhe të shpejta, megjithatë zhvillimet në praktikë tregojnë se zhvillimi ekonomik është duke u përcjellë me sfida të mëdha. Prandaj, për të theksuar se cilat janë të arriturat dhe sfidat, duhet shikuar terrenin praktik. Nëse bisedojmë për të arriturat, besoj se kjo qeveri së pari ka premtuar ndryshime të mëdha në legjislacionin ekonomik, zhvillime në sektorin publik, për emërimin e bordeve profesionale dhe ajo që ka rëndësi, është që të gjithë jemi në pritje de-politizimit të zhvillimit ekonomik. Pra, ky është preokupimi i opinionit. Nga aspekti sektorial, e çmoi vendosmërinë e kësaj qeverie për reforma në sistemin e drejtësisë”, tha ai.

Ndonëse, profesori Sadiku pret nga Qeveria aktuale shuarjen e monopoleve në tregun e Kosovës, shndërrimin e rritjes ekonomike në zhvillim ekonomik, rritjen e pagave dhe pensioneve.

Kujtojmë se kjo qeveri përkundër presionit të sindikatave dhe opozitës, përgjatë një viti nuk ka arrit të miratojë Ligjin për pagën minimale dhe Ligjin e pagave.

Në anën tjetër, shumica e ndërmarrjeve publike operojnë me humbje, përveç KEK-ut, derisa qeveria ka emëruar shumicë e bordeve për këto ndërmarrje. Po ashtu, në vitin e parë të qeverisë Kurti 2, ZRRE ka marrë vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike, si rrjedhojë e krizës energjetike.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është lavdëruar mjaft për rritjen e ekonomike në vitin 2021, prej 9.9 përqind dhe rritjen e të hyrave buxhetore nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, investimet e huaja direkte të cilat sipas tij, janë ngritur për 55 përqind, si dhe kanë krijuar 24 mijë vende të punës.

Nën qeverisjen Kurti 2, janë shtuar disa skema për mbështetjen financiare, të lehonave dhe fëmijëve. Qeveria Kurti 2 është votuar në Kuvendin e Kosovës më 23 mars 2021.