Arsyetimi i Komunës së Skenderajt për largimin nga puna të mësimdhënëses

Sqarim për opinionin publik!
Me qëllim të informimit të drejtë, për shkak të raportimeve të pavërteta për rastin e mësimdhënëses Fahrije Ibrahimi, si Drejtor i Arsimit në Komunën e Skenderajt, dëshiroj ta njoftoj opinion publik se mësimdhënësja, Fahrije Ibrahimi, është punësuar me konkurs për kohë të caktuar, në pozitën e mësueses së klasës, duke zëvendësuar vendin e punës së mësuesit Abedin Abazit, pas zgjedhjes së këtij të fundit në pozitën e drejtorit të shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Migjeni” në Klladernicë.
Pas skadimit të mandatit në pozitën e drejtorit të shkollës, z. Abedin Abazi parashtron kërkesë me datën 07 shkurt 2022, për t’u rikthyer në vendin e tij të punës si mësues klase. Drejtoria e Arsimit, bazuar në nenin 13 (Ruajtja e vendit të punës) të Udhëzimit Administrativ të MASHTI nr. 151/2020, e aprovon kërkesën e tij dhe e kthen në vendin e mëparshëm të punës. Kjo nënkupton automatikisht përfundimin e kontratës së përkohshme si mësuese klase për zonjën Fahrije Ibrahimi, pasi që është obligim ligjor që drejtorët dhe zëvendësdrejtorët që përfundojnë mandatin të rikthehen në pozitat tyre të mëparshme.
Në konkursin publik për drejtorë dhe zv.drejtorë, të shpallur nga DKA – Skenderaj, komisioni ka përzgjedhur për drejtor shkolle, kandidatin Abedin Abazi, i cili i ka plotësuar kriteret e konkursit në fjalë. Konkursi ka qenë publik dhe të drejtë aplikimi kanë pasur të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e konkursit.
Si drejtor i arsimit në Skenderaj, do të jem përkrah çdo mësimdhënësi, duke mbrojtur të drejtat e tyre bazuar në dispozitat ligjore të cilat jemi të obliguar t’i zbatojmë.