Gjermania ka regjistruar më shumë se tre milionë raste me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë, sipas shifrave të lëshuara të hënën nga Instituti Robert Koch (RKI).
Vendi regjistroi 13 mijë e 245 raste të reja gjatë ditës së djeshme duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 3.11 milionë të infektuar, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.
Numri i rasteve të reja ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë javëve të fundit pasi një variant më infektues i zbuluar për herë të parë në Britani u përhap.
Shkalla e incidencës kombëtare gjatë 7 ditëve të fundit, e cila monitorohet nga afër nga autoritetet, ishte 136,4 për 100 mijë banorë.
Por politikanët federalë dhe shtetërorë po përpiqen të bien dakord se si, ose në disa raste nëse, të ashpërsojnë masat kundër përhapjes së koronavirusit.
Gjatë fundjavës, Kancelarja Angela Merkel foli përsëri në favor të një bllokimi të rreptë kombëtar për një periudhë të shkurtër kohe.
Qeveria e Merkel gjithashtu planifikoi të shtrëngojë legjislacionin kombëtar anti-COVID të martën në mënyrë që të jetë në gjendje të vendosë kufizime kombëtare, përfshirë ndalimin gjatë natës, pa mbështetjen e autoriteteve rajonale.
Ndryshimi thyen një tabu në federalizmin gjerman, ku rajonet gëzojnë kompetenca të zgjeruara në fushën e shëndetësisë.
Një zyrtar kryesor shëndetësor gjerman paralajmëroi të dielën se njësitë e kujdesit intensiv kishin arritur kulmin e tyre të punës dhe bëri thirrje për veprim për të përmbajtur infeksione të koronavirusit.
Ndërsa treguesit e koronavirusit janë përkeqësuar në muajt e fundit, Gjermania mbetet në një situatë më të mirë se shumë fqinjë evropianë.
/RTV-Okarina/