Në një operacion të realizuar në Prizren, Policia ka arrestuar pesë persona, me profesion kamarierë, të dyshuar për falsifikim parashë dhe shpërndarjen e tyre.
Në njoftimin e Policisë thuhet se Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prizren (NJRHKEK), bazuar në informacione të marra nga rrugët operative, ka realizuar një operacion mbi dyshimin se pesë persona me profesion kamarier, janë të përfshirë në veprën penale “Falsifikim i parasë”, gjegjësisht pesë të dyshuarit po shpërndajnë para të falsifikuara metalike prej dy eurosh.
“Me datë 02.11.2021, Hetuesit e NJRHKEK në Prizren, pas një mori veprimesh hetimore në bashkërendim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren, si dhe me urdhër verbal nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake, kanë bërë kontrollin e katër personave të dyshuar si dhe kanë kryer kontrollin e shtëpisë së personit të pestë të dyshuar, si i dyshuari kryesor i rastit”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Më tej thuhet se gjatë kontrolleve të realizuara ndaj personave të dyshuar T.P. (2000), V.Z. (2002), A.P (1999), L.E. (1994), B.B. (1998), janë siguruar prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin se, të pesë personat kanë kryer veprën penale “Falsifikim i parasë” nga neni 296 i KPRK-së.
“Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 195 monedha metalike nga dy euro (të dyshuara si të falsifikuara) dhe pesë telefona mobilë të dyshuarve”.
“Bazuar në dëshmitë dhe të gjeturat, të njëjtit dyshohet se janë kryerës potencial të kësaj vepre, ku vetëm gjatë muajit tetor 2021, kanë shkëmbyer herën e parë 300 euro origjinal të fituara për 400 euro false, që i kanë shpërnda, herën e dytë 200 euro origjinal për 300 euro false, si dhe herën e tretë 400 euro origjinal për 550 euro false. Të pesë të dyshuarit në bashkëpunim, me qëllim të përfitimit material, kanë shpërnda para të falsifikuara dhe paratë origjinale të fituara nga vepra penale “Falsifikim i parasë”, i kanë ndarë në pjesë të barabarta, në pesë pjesë”, thuhet në njoftim.
Pas intervistimit të personave të dyshuar, me vendim për ndalim nga prokurori kompetent, të pesë të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.
\RTV-Okarina\