Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Anton Quni, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të ditës së djeshme.
Nëpërmjet një statusi në Facebook, ai i ka uruar Lëvizjes Vetëvendosje fitoren, ndërsa ka shprehur bindjen e plotë se LDK, sipas traditës, do të vazhdojë të mbetet konstruktive dhe të mbështesë proceset demokratike që konsolidojnë shtetësinë e Kosovës, si dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
Ky është statusi i tij i plotë:
“Të dashur qytetarë,
Në ditën e zgjedhjeve, qytetarët e Republikës së Kosovës arritën të tregojnë përgjegjësinë më të lartë qytetare, duke marrë pjesë masovikisht në një proces demokratik zgjedhor. Njëkohësisht, përgëzime për institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, të cilat treguan standardet e një kulture të lartë institucionale.
Gjej rastin të uroj fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, për rezultatin e arritur në zgjedhje.
Njekohësisht, shprehë bindjen e plotë se LDK, sipas traditës, do të vazhdojë të mbetet konstruktive dhe të mbështesë proceset demokratike që konsolidojnë shtetësinë e Kosovës, si dhe funksionimin demokratik të instirucioneve.
Të dashur qytetarë,
Ju faleminderit pa fund për gjithë përkrahjen Tuaj, e posaçërisht për shkallën e maturisë dhe pjekurisë; duke radhitur Kosovën përkrah shteteve me demokracitë më të zhvilluara për standardet e larta të këtij procesi zgjedhor.
Do të vazhdoj të punoj me dedikimin më të lartë edhe gjatë periudhës tranzicionale të Ministrit në detyrë; ndërsa, Ju siguroj se do mbetem përgjithmonë i përkushtuar për t’i shërbyer atdheut, pavarësisht se cili rol më besohet, në kuadër të LDK-së, për shkak të rrethanave, proceseve politike apo zhvillimeve historike.
I juaji,
Antoni”