Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë takuar kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka për të shprehur përkushtimin e vazhdueshëm për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt, dhe për ta njoftuar mbi planet e tyre të monitorimit të zgjedhjeve.
Shefat e misioneve diplomatike të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përmes një deklarate të përbashkët kanë thënë se është shumë e rëndësishme që vendimet ligjore të respektohen gjatë procesit të organizimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“E theksuam që KQZ-ja duhet të kujdeset që procesi zgjedhor është transparent dhe i pazënë nga ndërhyrjet politike. Procedurat parazgjedhore, përfshirë certifikimin e kandidatëve, janë ende në proces. Në këtë moment, ne besojmë se populli i Kosovës meriton qetësi dhe pjekuri nga të gjitha anët. Është e rëndësishme që vendimet ligjore të respektohen dhe rrugët e apelimit të ndiqen pa ndërhyrje. U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative”, thuhet në deklaratë.
Deklarata e plotë:
DEKLARATË NGA SHEFAT E MISIONEVE TË FRANCËS, GJERMANSË, ITALISË, MBRETËRISË SË BASHKUAR DHE SHTETEVE TË BASHKUARA
Më 25 janar, ambasadorët e shteteve të Kuintit takuan kryetarën e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të shprehur përkushtimin e vazhdueshëm për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt, dhe për ta njoftuar mbi planet tona të monitorimit të zgjedhjeve. Derisa pandemia ka krijuar sfida shtesë, jemi të sigurtë në aftësinë e KQZ-së për të mbikëqyrur zgjedhjet. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës t’i zbatojnë rekomandimet e bëra në raportin e Misionit Zgjedhor të Bashkimit Evropian për zgjedhjet e 6 tetorit 2019.
E theksuam që KQZ-ja duhet të kujdeset që procesi zgjedhor është transparent dhe i pazënë nga ndërhyrjet politike. Procedurat parazgjedhore, përfshirë certifikimin e kandidatëve, janë ende në proces. Në këtë moment, ne besojmë se populli i Kosovës meriton qetësi dhe pjekuri nga të gjitha anët. Është e rëndësishme që vendimet ligjore të respektohen dhe rrugët e apelimit të ndiqen pa ndërhyrje. U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative.
I ftojmë të gjitha partitë dhe kandidatët që të përfshihen në një garë të ndershme në të gjithë Kosovën, duke respektuar masat anti-COVID-19 gjatë gjithë fushatës. Derisa shqyrtojnë pëzgjedhjen e tyre, populli i Kosovës meriton të dëgjojë propozime të hollësishme të politikave, nga politikanët e tyre, me argumente të bëra në një frymë debati informues.
Për të siguruar zgjedhje të suksesshme, i takon edhe popullit të Kosovës që të votojë dhe ta bëjë këtë në mënyrë të sigurt, duke ndjekur gjithashtu të gjitha masat anti-COVID-19. Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë në përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurt, të begatshme, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën.
Ky reagim i QUINT-it vjen disa ditë pasi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nuk u certifikuan listat e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate. Të gjitha këto parti kanë njoftuar se kanë apeluar këtë vendim në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Këto parti u tha se kanë në listat e tyre kandidatë që bien ndesh me nenin 29 të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, ku u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje, personave, të cilët kanë një dënim të formës së prerë nga gjykatat e Kosovës në tre vjetët e fundit.
Kjo ndalesë është theksuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar në dhjetorin e vitit të kaluar, kur u trajtua lënda ndaj tashmë ish-deputetit, Etem Arifi.
Po ashtu, javën e kaluar, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një konferencë për media, deklaroi se ndaj saj po bëhen kërcënime nga partitë politike, por ajo nuk tregoi se për cilat parti bëhen fjalë.
Megjithatë, Daka tha se ajo do të respektojë Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit vijnë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 21 dhjetor, 2020, e cila tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, pasi për të kishte votuar Etem Arifi.