Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri tha se vendimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të përjashtuar Sali Berishën nga kjo parti është i guximshëm dhe “meriton respekt”.
Përmes një postimi në Twitter, Ambasada amerikane tha se PD-ja ka marrë vendim për ta çuar Shqipërinë përpara.
“Vendimi i vështirë, i shpallur dje nga kryetari Lulzim Basha, meriton respekt. Ky vendim tregon se – ashtu sikurse 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë – Partia Demokratike ka guximin të shkëputet nga e kaluara për të ndërtuar të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara. SHBA-ja ka pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe ne mezi presim të punojmë më ngushtë se kurrë me kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, bëri të ditur mbrëmjen e së enjtes për përjashtimin e Sali Berishës nga Partia Demokratike, pas një cikli të gjatë akuzash në drejtim të tij nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe Ambasada amerikane në Shqipëri.
Sipas Bashës, ky vendim bëhet “për të shmangur çdo keqkuptim deri në përfundim të kërkesës ligjore për transparencë”, pas shpalljes së Berishës person i padëshiruar nga Departamenti amerikan i Shtetit.
“Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë zotit Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhje të plotë të kësaj çështjeje në rrugë gjyqësore, zoti Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, tha Basha.
Berisha, në një paraqitje në një media në Shqipëri, e quajti “null” këtë vendim dhe tha se do të jetë pjesë e Parlamentit që pritet të formohet ditën e sotme.
Largimi i Berishës nga PD-ja vjen pasi Departamenti amerikan i Shtetit i ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan atij dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes në, siç është thënë, korrupsion të gjerë.
Në deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, është thënë se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.
Berisha i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka kërkuar që të publikohen fakte.
\RTV-Okarina\