Prokuroria Speciale ka ngritur të martën aktakuzë ndaj të pandehurit M.A., shqiptar me vendbanim në Beograd, për masakrën e Izbicës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri ka kryer veprën “krim i luftës kundër popullsisë civile”.
“Prokuroria Speciale njofton se rasti ka të bëjë me Masakrën e Izbicës, e cila ka ndodhur më 28.03.1999, në fshatin Izbicë, Komuna e Skenderajt. Hetimet 12 mujore kanë vërtetuar se i pandehuri M.A. së bashku me persona ende të paidentifikuar të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marr pjesë në ekzekutimin e 130 personave, prej të cilëve 12 kanë mbijetuar. Gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marr pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”, thuhet në komunikatë.
Specialja njofton se janë marrë deklarata të mbi 100 dëshmitarëve dhe të dëmtuarve nga kjo masakër.
“Gjithashtu, janë siguruar prova materiale si: video-incizime, raporte të autopsisë dhe dëshmi të tjera, të cilat dëshmojnë se më 28.03.1999, në fshatin Izbicë, u vra popullsia civile e pafajshme”, thuhet në aktakuzë.