Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) përmes një komunikate për media thotë se kanë pranuar disa ankesa lidhur me ngritjen e çmimit të disa produkteve në tregun e Kosovës, por që AKK nuk ka ndonjë mandat që të rregullojë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi.
“Kohëve të fundit, në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës (AKK) janë adresuar ankesa lidhur me ngritjen e çmimit të disa produkteve në tregun e Kosovës. Për këtë arsye, përmes kësaj deklarate për media, sqarojmë se AKK, ashtu siç është rasti me çdo institucion tjetër për mbrojtjen e konkurrencës në rajon dhe në vendet e Bashkimit Evropian, nuk ka mandat që të rregullojë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi.
Mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë si parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg”, thuhet në njoftimin e bërë për media.
Tutje, në reagim thuhet se, Autoriteti i Konkurrencës mund të reagojë në ato raste kur ndërmarrjet veprojnë në mënyrë të koordinuar (pra, nëse një veprim i tillë është rezultat i marrëveshjes së tyre eksplicite, përmes formës se kartelit-marrëveshjes së ndaluar apo sjelljeve te tyre ne treg – praktikës së bashkërenduar).
Gjithashtu, AKK mund të reagojë edhe ndaj ndërmarrjeve që kanë pozitë dominuese në treg dhe të cilët keqpërdorin këtë pozitë.
“Natyrisht, pas rrethanave të krijuara me çmimet e disa produkteve, AKK ka intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u siguruar që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës përmes praktikave të përmendura sipër. Përveç kësaj, AKK në vazhdimësi është duke avokuar përmes formave të ndryshme që të rris vetëdijen e operatorëve të tregut për Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
\RTV-Okarina\