Agim Ademi aplikon për kredi 4 milionë euro në FIFA

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dalë në teren për  të takuar përfaqësuesit e klubeve të futbollit për të mbledhur nënshkrime që siç iu është thënë atyre konfirmim për delegatë.
Por çka i duhet kryetarit të FFK-së konfirmimi i delegatëve?
Agim Ademi ka aplikuar për kredi në vlerë 4 milionë euro në FIFA.

Aplikimi për kredi është në kundërshtim me Ligjin për OJQ dhe statutin e FFK-së, ngase FFK është organizatë joprofitabile dhe si e tillë nuk mund të aplikojë për kredi ngase ato duhet shlyer më pastaj.

Përkundër kësaj Agim Ademi muaj më parë u ka dërguar mesazh anëtarëve të KE së FFK-së dhe ka kërkuar aprovimin për të aplikuar për kredi.

Këta anëtarë pa pyetur fare klubet ia kanë miratuar kërkesën kryetarit të FFK-së për kredi 4 milionëshe në FIFA ndonëse një gjë e tillë nuk është miratuar në buxhetin e FFK nga Kuvendi i kësaj organizate.

Sipas burimeve nga FFK për të garantuar këtë kredi FIFA ka kërkuar konfirmim me nënshkrimet e përfaqësuesve të klubeve, andaj kryetari Ademi ka dalë vet në teren për t’i siguruar ato.
Rrjedhshëm shtrohet pyetja se çfarë i duhet kjo kredi FFK-së dhe Agim Ademit të cilit i përfundon mandati këtë vit?

Dyshimet nga burimet brenda FFK-së qëndrojnë në atë se Agim Ademi mund ta përdor këtë shumë parash për të manipuluar procesin e zgjedhjeve brenda FFK-së për të siguruar edhe një mandat.

Sipas Statutit të FFK-së Kuvendi miraton buxhetin vjetor dhe ky organ është anashkaluar tërësisht me rastin e aplikimit për kredi.
Po ashtu edhe në Ligjin për OJQ nuk parashihet se organizatat mund të hyjnë kredi, ngaqë ato nuk janë organizata profitabile.

Pra në burimet e financimit nuk janë përcaktuar kreditë me kamat sepse OJQ-të janë organizata jofitimprurëse dhe si të tilla nuk kanë se si të shlyejnë detyrimet e kredive.

Sipas Nenit 55 të Statutit të FFK-së Të hyrat dhe të dalurat,
1. FFK-ja krijon të ardhura nga :
a) Anëtarësia; b) të drejtat televizive ; c) biletat; d) reklamat ; e) të ardhurat nga ndeshjet e përfaqsuesës së Kosovës; f) donacionet dhe dhuratat ; g) dënimet; h) pagesat financiare të klubeve , lojtarëve etj; i) të ardhurat nga marketingu; j) sponzorizimi; k) burimet tjera;

Askund nuk parashihet hyrja në kredi sepse FFK me Statut dhe Ligj është OJQ joprofitabile .
Po ashtu në Statutin e FFK-së  Neni 1 përcaktohet se:

Federata e Futbollit e Kosovës, është organizatë joqeveritare, jo profitabile, e pavarur dhe vullnetare sportive e cila mund të bashkohet në bazë të Ligjit për OJQ dhe Ligjit për Sport të Kosovës. Është e themeluar në kohë të pacaktuar.

FFK duke qene joprofitabile nuk ka se si të paguaj detyrimet e kredisë.
Veriu.info ka dërguar pyetje në FFK lidhur me këtë çështje por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Duket se disa klube kanë kuptuar këtë lojë të Agim Ademit dhe kanë filluar të zëvendësojnë përfaqesuesit e klubeve të tyre dhe vendimet që kanë mundur të prodhohen nga nëshkrimet e tyre.
Klubi futbollistik Pheniksi nga Baja e Pejës klub në Ligën e Parë ka njoftuar opinionin se ka ndryshuar delegatin.