Abdixhiku-Kurtit: Veç vazhdo, politikisht po shkon aty ku unë dua të të shoh

Kryetari i Lidhjes Demokratike të kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, të cilin e ka akuzuar për mosmarrje të ndonjë mase që çon në luftimin e rritjeve të çmimeve në vend.

Drejtuar Kurtit, Abdixhiku ka thënë se i njëjti po shkon aty ku si kundërshtar politik do të donte ta shihte të shkonte.

“Politikisht je kryeministër je në mandat, politikisht je duke shkuar ku kam qejf të shoh, kjo është rruga që unë dua si kundërshtar politik që të shoh se ku je duke shkuar, veç vazhdo, zgjate Zot, por për qëllime të vendit je duke e marrë në qafë një vend të tërë duke mos bërë asgjë”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, gjëja e parë që kryeministri Kurti duhet ta bëjë është që ta kuptojë saktë gjendjen që është në Kosovë.

“Ndoshta ndërrimi i kostumeve të juaja prej opozitës në pushtet ju bën të mendoni se gjendja ka ndërruar edhe në vend por e vërteta është krejtësisht ndryshe. Ju nuk keni ndryshim ekonomik, Kosova nuk ka zhvillim ekonomik, dhe nuk jeni në gjendje të ndërmerrni as edhe një masë që dëshmon se ka ndryshim të zhvillimit ekonomik në Kosovë”.

Siç ka thënë Abdixhiku, inflacioni në kosovë që ka arritur në 13 për qind brenda një viti, është rekordi më i lartë historik.

Megjithatë, ai ka thënë se ky inflacion “nuk vjen prej Albinit, por prej luftës së nisur prej Putinit, por çështja s’është se çfarë bën Putini por çfarë bën Albini”.

“Me 13 për qind inflacion, ato 200 mijë euro kursime të ministres së zhvillimit ekonomi, sot bëjnë 170 mijë euro e ato 50 mijë euro të atij baxhanakut sot bëjnë 40 mijë euro. Problemin nuk e kam as për 170 mijë vlerë të 200 mijëshit e as 40 mijë të 50 mijëshit, problemin e kam për ata njerëz që janë në kufij të mbijetesës shoqërore”, shtoi i pari i LDK-së.

Ai ka kritikuar qeverinë për të cilën thotë se teksa po proomovon rritjen e të hyrave në buxhet, të njëjtat po i merr nga njerëzit e Kosovës dhe jo “nga Kina”.

Lidhur me propozimin e LDK-së për reduktimin e akcizës dhe TVSH-së për produktet bazë, Abdixhiku ka potencuar se kryeminsitri Kurti ka inat me propozuesin dhe jo propozimin.

“Ky është problemi juaj Albin, keni inat pse ne e kemi propozuar”.

Abdixhiku beson se në politikë ekzistojnë katër lloje të njerëzve.

“Grupi i parë i njerëzve është që dinë që dinë, janë kompetent, kryetari i kuvendit, e konsideroj të tillë, një njeri që din që din prandaj e respektoj. Grupi i dytë i njerëzve janë i atyre që s’dinë që dinë, nuk janë të vetëdijshëm që dinë duhet të inkurajohen. Grupi i tretë i njerëzve është i atyre që dinë që s’dinë, ia dinë hallin vetit nuk flasin. Asnjëri prej tyre nuk janë të dëmshëm, të dëmshëm janë grupi i katërt janë atyre që s’dinë që s’dinë, nuk janë të vetëdijshëm që po nuk po dinë”.

Kreu i LDK-së, ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të largojë akcizën në naftë sepse sipas tij ajo ëhstë lëndë e parë.

Ai ak thënë se kur shtrenjëtohet nafta, shtrenjëtohen të gjitha produktet e tjera bazike.

“Bëje një vijë, leje një shenjë diku, merre një masë, bëhu i guximshëm, nuk mbahet shteti me lëmoshë e politika sociale, mos u fut në paranoja nuk kemi hile në këtë propozim. Mosbërja është njëjtë si korrupsioni, të dyja të varfërojnë”.