A do t’i konfiskohet pasuria e pajustifikueshme Xhavit Halitit, Azem Sylës, Ramush e Daut Haradinajt, Hashim Thaçit, Gani Thaçit…?

Ditë më parë është miratuar në lexim të parë Projektligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Nga 61 deputetë që morën pjesë në votim, 58 votuan për dhe tre abstenuan, përcjell “Bota sot”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ishte në mesin e tre deputetëve që abstenuan, duke bërë një shkëputje për herë të dytë në procesin e shqyrtimit dhe miratimit të këtij Projektligji.

Konjufca tha se do të abstenojë deri në momentin kur opinionet e Komisionit të Venecias të përfshihen në Projektligj.

Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme bën verifikimin e pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme. Konfiskimi i pasurisë do të bëhet në procedurë civile dhe jo penale, siç e parashohin ligjet tjera në fuqi.

Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjeve të tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë aktual dhe atyre që kanë qenë në 10 vitet e fundit.

Por, a do t’i hetohet pasuria Xhavit Halitit, Azem Sylës, Ramush e Daut Haradinajt, Hashim Thaçit, Gani Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe përplot figurave të tjera publike, emrat e të cilëve për vite të tëra janë përmendur në media për pasurim të jashtëligjshëm, dhe nga dokumentet konfidenciale të NATO-s.

Sipas Raportit të Komitetit Kombëtar të Politikës së Jashtme Amerikane në vitin 2010 vetëm SHIK-u mblidhte rreth 200 milionë euro në vit, nëpërmjet plaçkitjes, ryshfetit dhe shantazhit.

Që të gjithë emrat e përmendur më sipër ishin pjesë e SHIK-ut, apo të grupeve të fuqishme kriminale të identifikuara nga KFOR-i apo edhe në procese gjyqësore.

Juristet dhan opinionet e tyre:

Kelmendi: Asnjë vendim nuk mund të futet në fuqi pa vendim gjyqësor të formës së prere

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Muhamet Kelmendi.

Image

Muhamet Kelmendi
Ai u shpreh se ky Projektligj ende nuk është ligj pasi duhet të kaloj në votim të dytë, mirëpo i njëjti ka shumë mungesa.

“Projektligji ende nuk është ligj. Duhet të kaloj në votim të dytë, pas punës në komisione, që të shkojë në nënshkrim te Presidentja. Me nënshkrim futet ky ligj në fuqi dhe fillon së vepruari. Kjo është ana ligjore. Mirëpo, ky Projektligj ka shumë mungesa. Disa prej tyre i ka kritikuar ashpër edhe Komisioni i Venecias. Sa janë marrë për bazë nuk dihet ende. Shpresohet se në diskutim të dytë do të merren parasysh vërejtjet përmbajtjesore dhe do të merr formën juridike dhe përmbajtjesore ligji në fjalë. Ajo që duhet kritikuar është fakti se me këtë parashihet konfiskimi i pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme vet nga komisioni”, u shpreh ai.

Më tej, juristi thotë që pas nënshkrimit të Ligjit mbi verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë lypset një kohë për të krijuar organet kompetente.

Mirëpo, Kelmendi sugjeron që ky ligj të mos kaloj në procedurë të dytë parlamentare.

“Palët mbetet të shkojnë nëpër gjykata. Kjo formë tregon se këtu ka dyfishim të punës dhe se asnjë vendim nuk mund të futet në fuqi pa vendim gjyqësor të formës së prerë. Kjo është shumë pozitive. Pas nënshkrimit të Ligjit mbi verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë lypset një kohë për të u krijuar organet kompetente. Zakonisht duhet një vit. E mira është që ky ligj mos të kalojë në procedurë të dytë parlamentare. Çështja duhet të mbetët tek prokuroritë dhe te gjykatat. Nuk ka nevojë për organe administrative, që dyfishojnë dhe krijojnë vështirësi të dyfishta. Kjo sepse, këto i nënshtrohen në çdo formë vendimeve të gjykatave. Mbetet gjykata në akt të fundit”, tha Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Ka tri arsye që ky projektligj është i ndërlikuar

Image

Blerim Burjani

FOTO GALERI

Ndërsa juristi tjetër, Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që ky Projektligj është shumë i komplikuar, duke përmendur tri arsye.

“Së pari është i komplikuar juridikisht dhe në kuptimin hierarkik të institucioneve kushtetuese, pra aborton organizimin institucional që parasheh Kushtetuta e shtetit. E dyta edhe po të aprovohet nga Kuvendi, rasti shkon në Gjykatën Kushtetuese ku përgjigjja do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën një zyre hetuese e këtij lloji. E treta, nëse funksionalizohet kush mund të fitoj p.sh. institucionet e rendit dhe ligjit. Shteti nuk është kukull ku njerëzit luajnë me të si me lloç, pra janë probleme reale juridike, kushtetuese dhe të legjislacionit në fuqi”, thekson juristi.

Më tej, ai shton se Kosova ka ligje që mund të ndjek penalisht politikanët që janë të përzier në biznese kriminale, mirëpo që nuk po zbatohen.

“Kosova ka ligje sa të duash, të gjitha i ka në fushën e konfiskimit, por nuk funksionojnë organet e drejtësisë. Pra, nuk ndiqen penalisht politikanët, liderët, milionerë apo rrjetet e shumta kriminale që janë në politikë dhe kanë fuqi partiake në terren, madje edhe në gjyqësi, duke pasur parasysh këtë fakt, kjo zyre nuk mund të ushtroj veprimtarinë mbi rendin dhe organet e tjera. Aktualisht mund të jetë problem si me funksionalizu prokurorinë. Pra, duhet të gjenden mekanizma nga KPK-ja që të punojnë në drejtim të ndjekjes penale për personat e shumtë të përzier në biznes kriminal, kontroll e punësim, kontroll në të bërit biznes”, potencon ai.

Në fund, juristi thotë që ideja dhe qëllimi mund të jenë të mira, por mbi rendin institucional dhe kushtetues është vështirë i arritshëm.

“Normal tentativa është të bëjë ndjekjen penale të të gjithë atyre që dyshohet se janë mbi rendin dhe ligjin dhe kanë dështuar institucionet ta bëjnë këtë, pra ideja dhe qëllimi mund të jenë të mira, por mbi rendin institucional dhe kushtetues janë vështirë të arritshme”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.