Heroi legjendar, Adem Jashari ka mbetur ende pa shtatore në Prishtinë. Kryeqendra e Kosovës nuk ia ka dhënë nderimin e merituar njeriut që kontribuoi për vendin e sakrifikoi për liri. Prishtina e ka veç një shesh me emrin “Adem Jashari”. Përkundër iniciativave nga grupe të caktuara të asambleistëve dhe qytetarëve, çështja e ndërtimit të bustit të heroit legjendar ka mbetur e pa përfunduar. Megjithatë, ka diçka prej planeve në këtë drejtim. Vendi është përcaktuar, po pritet të ndahen veç paret…
Figura e Adem Jasharit si e tillë gjendet në disa qytete të Kosovës, por jo edhe në kryeqytet. Kërkesat janë të kahmotshme, por asnjë qeverisje lokale deri tash në komunën e Prishtinës nuk e kishte marrë me prioritet.
Pas ardhjes në pushtet të kryetarit Përparim Rama, ishte grupi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës që i bënë një kërkesë publike që të iniciohet sa më shpejt vendosja e shtatores së Adem Jasharit në cepin e hapësirës së ndërtesës të Qeverisë së Kosovës, parcelë e cila ishte përcaktuar nga Kuvendi Komunal më 2019. (Shih vendimin)
Asamblisti i PDK’së, Leutrim Retkoceri në një prononcim për Periskopin ka treguar se tek në fund të muajit maj pritet të rishikohet buxheti i komunës e aty të ndahet shuma e nevojshme për ndërtimin e shtatores.
Sipas tij, nuk dihet saktë se kur janë gjasat të finalizohet si proces.
‘’Presim në rishikim të fund të majit, që të ndahen mjetet më së pari, e pastaj me vazhdu me procedurat e prokurimit. Pjesën e përcaktimit të artistëve dhe pak a shumë qysh ka me u pa krejt koncepti. Është duke u punu në atë drejtim me informatat që kam. Ideja është këtu edhe iniciativa u kanë për me lëvizë si projekt, me shku në fazat që parashihen me ligj. Nuk kemi dhënë data sepse është çështje e ndjeshme, këtu veç duhet me u punu maksimalisht që me u realizu’’, ka theksuar ai për Periskopin.
Periskopi ka kërkuar edhe një përgjigje zyrtare nga komuna e Prishtinës, të cilat na thanë se procesi kishte ngecur prej qeverisjeve të kaluara, shkaku i situatës me pandeminë.
‘’Kuvendi Komunal i Prishtinës ka marr vendim më datën 11.11.2019 për ndarjen e parcelës për vendosjen e Shtatores se Adem Jasharit në Prishtinë. Por, më pas ish-qeverisja e kaluar nuk e ka ndarë buxhetin me arsyetimin se ishim në kohë pandemie dhe kjo çështje patë ngecur’’, thuhet në përgjigjen e asamblistes Jeta Rafuna, të cilën na e dërgoi komuna e Prishtinës.
‘’Më 5 mars, bashkë me shefin e Grupit të PDK’së, Leutrim Retkoceri jemi takuar me Kryetarin Përparim Rama dhe Nënkryetaren Donjeta Sahatçiu dhe e kemi dërguar Vendimin e Kuvendit Komunal me numër 01-353/01 , -01- 0276651/19 dhe kemi kërkuar ndarjen e buxhetit dhe përshpejtimin e procedurave të prokurimit për Shtatoren’’, thuhet tutje në përgjigje.
Një dëshirë të madhe për vendosje të shtatores së Adem Jasharit në këtë periudhë e kanë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Kosovës. Nënkryetari Xhavit Jashari ka thënë për Periskopin se figura e heroit legjendar duhet të trumbetojë në çdo kryeqendër shqiptare, e jo veç në Prishtinë.
‘’Organizatat e dala nga lufta kanë bërë kërkesë për vendosjen e shtatores së Adem Jasharit, kryesisht këtu ku është ai trekëndëshi që thirret Bashkim Vllaznimi. Duhet të ngritet shtatorja dhe mendoj që në krejt qendrat kryesore të shqiptarizmit duhet të ngritet shtatorja e komandantit. Duhet t’i jepet vendi meritor nga institucionet. Vlerën e komandatit legjendar nuk mund ta hudhë kërrkush poshtë, mendoj që jo që nuk janë vonu, por në këtë kohë duhet të ndodh gjithqysh’’, ka deklaruar Jashari për Periskopin.
E pikërisht për këtë qëllim, gjatë vitit të kaluar ishin Grupi i Tifozëve të Prishtinës, ‘Plisat’ që kishin iniciuar një peticion me nënshkrime për ngritjen e shtatores së Adem Jasharit.
Përfaqësuesi i Plisave, Kushtrim Ramadani, që ishte pjesë e organizimit të peticionit, në një deklaratë për Periskopin ka treguar se qysh atëherë i kishin dërguar mbi 12 mijë nënshkrime në komunën e Prishtinës, por deri tash nuk është ndërmarrë diçka konkrete.
‘’Po pritet tash të bëhet diçka, por ne patëm mbledh nënshkrimet, i patëm dërgu në komunë’’, ka thënë shkurt Ramadani.
Një iniciativë të tillë e kishte kërkuar e mbështetur edhe familja Jashari nga Prekazi./Kaltërina Misini – PERISKOPI/