Dhjetë vjet nga zgjedhja e Jahjagës presidente

 

Me 80 vota për Kuvendi i Kosovës, më 7 prill të vitit 2011, zgjodhi ish-zëvendësdrejtoreshën e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga, në postin e presidentes.

Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christopher Dell.

 

Ajo fitoi në rrethin e parë të votimit. Për kundërkandidate kishte deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm 10 vota, përderisa 10 vota të tjera ishin të pavlefshme.

 

Presidentja e zgjedhur, Atifete Jahjaga, dha betimin para Kuvendit se do të mbrojë Kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

Në fjalimin e parë para Parlamentit, presidentja Jahjaga u shpreh se kishte vullnet dhe vetëbesim që të ndihmojë reformat dhe ndryshimet pozitive në Kosovë.

Procesi i votimit ishte bojkotuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në fund, me 75 vota për dhe 2 abstenime Kuvendi miratoi edhe rezolutën, me të cilën përkrah marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, liderit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe ish-kandidatit për president, Behxhet Pacolli.

Në këtë marrëveshje ishte përfshirë edhe pajtimi i treshes për ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore, zgjedhjet presidenciale pas afërsisht një viti e gjysmë dhe zgjedhjet parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë.

 

\RTV-Okarina\