Blerim Shala me një opinion të tij ka analizuar situatën e re politike në Kosovë. Ai ka thënë se Qeveria Kurti mund të bëjë çfarë të dojë, përveç se nuk mund ta ndërrojë Kushtetutën.
Situata politike në Kosovë sipas Shalës tani varet nga Kurti pasi që vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja vetëm nëse ai dëshiron.
“4 prilli i vitit 2021, në historinë e demokracisë parlamentare të Kosovës, do të shënohet si ditë kur një lider politik (Albin Kurti), dhe një parti politike (Lëvizja ‘Vetëvendosje’), arritën të vendosin pushtetin absolut politik në Kosovë, percjell Indeksonline
Zgjedhja e Vjosa Osmanit si Presidente e Republikës së Kosovës, me votën e 71 deputetëve në Kuvend, (në mesin e të cilëve janë gjetur edhe deputetë të opozitës parlamentare), të dielën e Pashkëve, rrumbullakësoi fitoren zgjedhore të 14 shkurtit të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Tani, tri postet kryesore në Kosovë, ai i Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, i takojnë një entiteti të vetëm zgjedhor, apo Listës së ‘Vetëvendosjes’ (koalicionit të Partisë së Albin Kurtit dhe Nismës qytetare të Vjosa Osmanit).
Me përjashtim të ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pushteti i ri në vend, realisht, mund të bëjë çfarë të dojë në politikën kosovare, mund ta reformojë thelbësisht legjislacionin në Kosovë (nëse nuk preken parimet themelore të Kushtetutës), dhe mund ta sendërtojë pa kurfarë problemi dhe rezistence opozitare Agjendën e vete politike, në katër vitet e mandatit të vet, i cili mund të kontestohet, në aspektin kohor dhe politik, vetëm nëse vet Albin Kurti vendos të shkojë në zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare.
Këtë do të mund ta bëjë ai nëse vlerëson që në zgjedhjet e reja do të mund të fitojë edhe më shumë mandate se sa që arriti me 14 shkurt (2021).
Albin Kurti shfrytëzoi procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës, jo vetëm ta konsolidojë pushtetin e tij, por madje, edhe ta shtojë dhe ta forcojë ate. Para nisjes së procedurës së zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit, ai i kishte 58 deputetë, teksa opozita parlamentare i kishte 42 deputetë. Tani, opozita i ka humbur dy deputetë (një PDK dhe një AAK, PDK ka ra në 18 deputetë, AAK në 7 deputetë), teksa ‘Vetëvendosje’ do t’i ketë 59 ose 60 deputetë në radhët e veta. Në anën tjetër, Lumir Abdixhiku dhe Grupi Parlamentar i LDK-së, u vetë-detyruan të ofrojnë atë përkrahjen vendimtare për zgjedhjen e Vjosa Osmanit Presidente të Kosovës, gjë që do të mund të reflektohet në zhvillimet e mëpasme brenda partisë më të vjetër në vend.
Opozita parlamentare, e cila pra doli nga kjo zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës edhe më e dobët se sa që ishte, edhe më e përçarë se sa që ishte, e humbi një tjetër betejë politike me Albin Kurtin, sërish në mënyrë të plotë, bindëse, realisht, pa bërë fare luftë politike, pa u përpjekur që ta ushtrojë atë mandatin e vet opozitar në Kuvendin e Kosovës.