Gjykata Themelore në Prizren, ka dënuar me burgim të përjetshëm Shefki Spahiun, për vrasje të rëndë të kryer në mënyrë dinake dhe për veprën penale manipulim me prova.
Ish-Polici Spahiu i cili mbante gradën e Rreshterit në Policinë e Kosovës, u gjet fajtor për vrasjen 32 vjeçarit Jetmir Aliaj më 17 mars 2019 në një kazino në Suharekë.
Sipas aktgjykimit të shpallur në Gjykatën Themelore në Prizren, është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet.
Më 31 maj 2019, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor Shefki Spahiu, me arsyetimin se i njëjti, më 17 mars 2019, në Suharekë, në një kazino e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore me dashje dhe në mënyrë dinake, privon nga jeta punëtorin e kazinos, Jetmir Aliaj.
Sipas aktit akuzues, Spahiu pasi qëndroi në kazino, papritur, duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.