Ambasadorja Hernmarck uron kryeminstrin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 14-Shkurtit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck.

Ambasadorja Hernmarck e uroi kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhje dhe i dëshiroi suksese në punën e tij.

Hernmarck ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Suedisë që bashkëpunimi në mes dy vendeve dhe dy qeverive të vazhdojë me intensitet të shtuar drejt avancimit të mëtejmë të tyre.

Gjatë takimit, ambasadorja Hernmarck e njoftoi kryeministrin Kurti lidhur me projektet dhe programet që shteti i saj e mbështet Kosovën, fokusi i të cilave është   integrimi ekonomik me BE-në, fuqizimi i demokracisë, respektimi i të drejtave të njeriut, dhe çështjet ambientale.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadoren Hernmarck për urimin e saj, bashkëpunimin e deritanishëm dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë.

 

 

Ai tha se Suedia përveqse partnere në luftë anti-Covid ashtu edhe model për Republikën e Kosovës në synimet e saj për zhvillim ekonomik, barazi sociale dhe mbrojtje të ambientit.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti e njoftoi ambasadoren e Suedisë rreth fillimit dhe mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit dhe për angazhimin e pareshtur të Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e dozave të tjera të vaksinave kundër Covid-19.

“Deri atëherë e edhe pas, është shumë e rëndësishme që të gjithë t’i përmbahemi me përpikëri masave preventive për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të virusit Corona”, përfundoi kryeministri Kurti.

/RTV-Okarina/