Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Republikën e Kosovës, Chryssoula Aliferi, me të cilën biseduan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe avancimin e raporteve midis dy vendeve.
Gërvalla tha me këtë rast se është koha që lidhjet e vjetra miqësore midis popujve tanë të shfrytëzohen në avancimin e raporteve bilaterale midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë.
“Falënderojmë shtetin grek për qasjen konstruktive në raport me Republikën e Kosovës, në veçanti për mbështetjen e proceseve tona euro-integruese, mirëpo në të njëjtën kohë vlerësojmë se bashkëpunimi midis dy vendeve tona mund të avancohet në të mirën e popujve tanë dhe prosperitetit të përgjithshëm në rajon”, tha drejtuesja e diplomacisë kosovare.
Ministrja Gërvalla vlerësoi punën e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Republikën e Kosovës dhe të Zyrës Ekonomike të Republikës së Kosovës në Republikën e Greqisë, por kërkoi që të dyja palët të angazhohen më shumë në forcimin e këtyre lidhjeve, jo vetëm politike, por edhe ekonomike dhe kulturore.
\RTV-Okarina\