Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë që fokusi i tërë energjive mes dy shteteve duhet të bjerë në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të nënshkuara midis dy vendeve, si dhe të harmonizojnë agjendat shtetërore, duke u bazuar në interesin tonë kombëtar.
Znj. Gërvalla i theksoi këto aspekte gjatë takimit që zhvilloi me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, z.Qemal Minxhozi, me të cilin, përveç thellimit dhe forcimit të raporteve midis dy vendeve, diskutoi edhe për situatën aktuale me pandeminë, dhe në veçanti për zhvillimet politike në rajon.
“Duke u bazuar në historinë tonë të përbashkët, nuk është asgjë sekrete se Republika e Shqipërisë është partneri ynë kryesor strategjik në rajon, prandaj është shumë e natyrshme që edhe si klasë politike edhe si institucione të aplikojmë politika shtetërore që kanë për qëllim vullnetin e qytetarëve tanë”, tha Gërvalla.
Në këtë takim, ministrja Gërvalla falënderoi ambasadorin Minxhozi për kontributin që Republika e Shqipërisë ka dhënë për Kosovën në të gjitha fushat e bashkëpunimit, dhe në veçanti i shprehu mirënjohje për ndihmën e ofruar së fundmi me vaksinat anti-Covid për stafin shëndetësor të Republikës së Kosovës.
Ministrja Gërvalla dhe ambasadori Minxhozi biseduan edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investimeve të ndërsjella, me synim gjenerimin e vendeve të reja të punës, në veçanti në fushën e turizmit.
/RTV-Okarina/