Thuajse asnjë shtrat i lirë në Mjekësinë Sportive

 

Rritja e madhe e rasteve me Covid-19 në vend ka bërë që objekti i Mjekësisë Sportive të mbushet me pacientë. Aktualisht në këtë klinikë kanë mbetur edhe katër shtretër të lirë për personat që kërkojnë shtrime, tha në një intervistë për Ekonomia Online, menaxheri i kësaj klinike Artan Ahmeti.

Ahmeti sqaroi se gjatë ditës mund të rritet edhe numri i vendeve të lira.

“Në këtë klinikë ka pak vende të lira, realisht sot i kemi vetëm 4 vende të lira në këtë mëngjes, por gjatë ditës sigurisht do të bëhen edhe lirime të pacientëve të tjerë dhe do të rritet numri i vendeve të lirë, ndryshe tashti ekziston edhe Klinika Infektive 3, kur ajo është paraparë për pacientët e ri të cilët do të kërkojnë shtrime në spital”.

 

 

Menaxheri i kësaj klinike, thotë se numri i pacientëve që trajtohet me Covid-19 në Mjekësinë Sportive është 90.“Ne Klinikën Infektive 2 ose objekti i Mjekësisë Sportive, kapacitetet janë të mbushura në dy javët e fundit, pra kapacitetet maksimale i kemi 95 pacientë dhe gjithashtu i kemi tri raste të cilat janë për çështje të dializës tri vende të lira në të cilat pacientët që janë të shtruar këtu, por kanë nevojë edhe për hemodializë.

Gjatë këtyre dy javëve të fundit kemi pranime dhe lirime dhe numri i pacientëve është rreth 90”. Sa i përket moshës që është më e atakuar nga Covidi-19 në klinikën “Covid 2”, ai tha se janë të gjitha moshat.

 

 

“Realisht nuk kemi ndonjë kufizim të madh të moshës, të gjitha moshat janë prezentë këtu prej atyre të cilët janë të moshës mesatare e deri të pleqtë që janë mbi moshën 80-vjeçare, kurse për moshën pedriatike kujdeset Klinika e Pediatrisë”.

/RTV-Okarina/