Veliu i reagon Muhaxherit

Nënkryetari i deritashëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka reaguar pas deklaratave dhe  akuzave të mbrëmshme në RTV Dukagjini të nënkryetarit të tashëm, Gazmend Muhaxheri, i cili ka deklaruar mes tjerash se Veliu kishte prishur imazhin e partisë kur kishte vendosur të bëhej ministër dy herë.

“Imponimi i zotit Veliu me gjithë atë energji negative për të qenë ministër dy herë i ka bërë dëm të madh partisë. E ka lëshua komunën dhe ka sjellë energji negative ku e kemi humbur Podujevën”, kishte thënë Muhaxhiri mbrëmë.

Ndaj këtyre deklaratave reagoi sot ish nënkryetari Veliu.

“LDK, me eksponent si soji i Gaz Muhaxherit, tashmë e ka bërë veten fajtore kryesore për çdo dështim eventual të fituesit të zgjedhjeve për konstituimin e institucioneve, duke insistuar që, nga pozita e tretë e duke amnestuar të parin e të dytin, të bëhet adresa e vetme e fajësimit në rast të dështimit të zgjedhjes së Presidentit”.

Lexoni të plotë deklaratën e Veliut:

Kush po e përçan LDK-në dhe ku po shkon ajo?!

Përtej rezultateve zgjedhore, nga më zhgënjyeset që nga themelimi i LDK-së, dhe pas një procesi për lakmi, për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, me të drejt pritej që kjo parti të fokusohej në rikuperimin e saj duke insistuar në unitet veprues.

Siq e thash, zgjedhja e kryetarit të ri, pavarësisht vlefshmërisë së vendimeve iniciale që mori, e për të cilat mbase do të flas ndonjëherë tjetër, nga shumë njerëz, përfshirë këtu edhe mua, u pa si një ngjarje dhe moment reflektimi dhe rrjedhimisht edhe fillimi të një pune të madhe për unifikimin e partisë.