Komuna e Skenderajt me homazhe e me aktivitete tradicionale kulturore, ka nderuar dëshmorin Ajet Beqiri si dhe dëshmorët e martirët e rënë për liri

Me organizim të Komunës së Skenderajt, përkatësisht Drejtorisë së Kulturës sot u mbajt aktiviteti tradicional kulturor “Avancimet kulturore Prof. Ajet Beqiri”, i cili ka për qëllim promovimin e talenteve te rijnë përmes punimeve të tyre në fushën e letërsisë dhe artit figurativ.

Po ashtu sot Drejtori i Kulturës, Abdyl Ymeri, i shoqëruar nga familjar të dëshmorit Ajet Beqiri si dhe zyrtarë komunal, në shenjë nderimi bënë homazhe tek varri i tij në përvjetorin e rënies.

Para të pranishmëve në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”, foli Drejtori i DK-së, Abdyl Ymeri, i cili ngriti lartë kontributin e jashtëzakonshëm të dëshmorit Ajet Beqiri, duke e kujtuar kontributin që ai ka dhënë në fushën e arsimit si dhe pjesëmarrjen e tij në luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sa herë që përkujtohen dëshmorët e kombit, nëpër mendje na vije çdo here sakrifica, guximi dhe trimëria e pashembullt dhe titanike e trimave guximtarë. Ata janë pishtarë drite që na ndriçojnë rrugën, ndërsa vepra e tyre do të jetë udhërrëfyes në rrugëtimin tonë të përbashkët në ndërtimin e të ardhmes së fëmijëve dhe vendit tonë. Si pishtarë në altarin e lirisë, shëmbëllen shkëlqyeshëm emri i dëshmorit të kombit, prof. Ajet Beqiri”, tha Ymeri.

Me rastin e këtij organizimi kulturor në nderim të veprës së dëshmorit Ajet Beqiri, u ndanë edhe disa çmime në fushën e letërsisë dhe atë të artit.

Vendi i parë në letërsi u nda për Anisa Xani nga shkolla “Drenica”, në Polac, vendi i dytë i takoi Alketa Kuçices si dhe vendin e tretë e zuri nga po e njejta shkollë, Liridona Gashi.

Kurse në fushën e artit, vendin e parë e moren Venera Abazi nga shkolla “Abedin Rexha”, Turiqec dhe Alba Kerolli nga shkolla “Ahmet Delija” në Skenderaj, vendi i dytë u nda për dy fitueset Albiona Hoti nga shkolla “Drenica dhe për Denisa Isufin nga shkolla “Abedin Rexha” nga fshati Turiqec, ndersa vendi i tretë i’u takoi Erza Istogut nga shkolla “Elena Gjika” si dhe Riana Lushtaku nga shkolla “Ilir Lishtaku”.