Viola von Cramon: Progresi i Kosovës në rrugën europiane është në interesin tonë të përbashkët

 

Viola von Cramon-Taubadel, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian,  ka thënë se Raporti i Progresit jep mesazhe pozitive për Kosovën.

Ajo ka thënë se Parlamenti Europian beson që Kosova e ka një të ardhme europiane, derisa ka thënë se për këtë duhet të punojë me përkushtim qeveria e re.

“Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuuar në këtë raport i cili unë besoj se dërgon mesazhe të qarta dhe pozitive për Kosovën. Ne këtu në Parlamentin Europian kemi besim në të ardhmen europiane të Kosovës dhe presim një përkushtim të njëjtë nga qeveria e re e Kosovës”.

 

 

Viola von Cramon-Taubadel ka thënë se asnjë vend në rajon nuk ka qasje më pozitive karshi Bashkimit Europian sesa Kosova.

Ajo ka përmendur edhe liberalizimin e vizave duke thënë se ky premtim duhet të mbahet më fund derisa ka shtuar se e kupton frustrimin e kosovarëve, njofton Klan Kosova.

“Progresi i Kosovës në rrugën europiane është në interesin tonë të përbashkët. Parlamenti Europian qëndron fuqishëm dhe bashkë me Kosovën dhe popullin e saj. Duhet të sigurohemi se të gjithë akterët politikë do të punojnë bashkë me ne për këtë perspektivë europiane.

 

 

Njerëzit në Kosovë janë jashtëzakonisht shumë në favor të Bashkimit Europian, në fakt asnjë vend në rajon nuk e ka një qëndrim më pozitiv karshi BE-së sesa Kosova. Megjithatë, ky fakt nuk mund të merret si i mirëqenë përgjithmonë.

Nëse ne nuk përmbushim premtimet tona, ne humbasim kredibilitetin dhe besimin. Është koha e duhur që Këshilli i Jashtëm ta mbajë më në fund premtimin për liberalizim të vizave. Unë absolutisht e ndaj frustrimin e qytetarëve të Kosovës. Do të dëshiroja që Parlamenti Europian të mund ta merrte një vendim për këtë çështje”.

/RTV-Okarina/