Banorët e fshatit të brezit kufitar të Karaçevës i kanë shkruar letër kryeparlamentarit Konjufca si dhe kryeministrit Kurti.
Në këtë letër, ata shprehin shqetësimin e tyre me problemin e futjes së xhandarmërisë serbe brenda territorit të fshatit të tyre, shkruan lajmi.net.
Ata kanë thënë se kjo çështje është ngritur shumë herë, mirëpo që deri tash nuk është intervenuar asgjë sipas tyre.
“Por as Kuvendi e as Kryetarët e Parlamentit nuk janë marrë asnjëherë me këtë problem. Vetëm ne banorët kemi qenë të zëshëm për ruajtjen e sovranitetit, integritetit territorial të Republikës së Kosovës në këtë brez kufitar që vazhdimisht jemi të rrezikuar nga shteti okupues-Serbia”, thuhet në letër.
Kjo është letra e plotë:
Po iu drejtohemi Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit.
Letër e hapur nga Bashkësia Lokale e fshatit Karaqevë e poshtme K.Kamenicë .
Ne banorët e brezit kufitar po iu njoftojmë përmes këtij shkrimi si Bashkësi Lokale, se banorët e brezit kufitar jemi të zhgënjyer tej mase me problemet të cilat ballafaqohemi çdo ditë, çdo muaj, çdo vit me hyrjen e forcave të xhandarmërisë serbe paramilitare etj.
Ky problem është shfaqur tek ne që nga viti 2001 dhe ende vazhdon.
Është i vetmi problem që ballafaqohemi qe 20 vite të plota duke protestuar shumë herë, duke njoftuar të gjitha qeveritë që kanë qenë por askush nuk na mori parasysh.
Por as Kuvendi e as Kryetarët e Parlamentit nuk janë marrë asnjëherë me këtë problem. Vetëm ne banorët kemi qenë të zëshëm për ruajtjen e sovranitetit, integritetit territorial të Republikës së Kosovës në këtë brez kufitar që vazhdimisht jemi të rrezikuar nga shteti okupues-Serbia.
Edhe pse vazhdimisht kemi kërkuar nga institucionet, Presidenti, Kryeparlamentari dhe Kryeministri por nuk janë marrë fare me këtë problem të banorëve.
Presim nga Qeveria e Kurtit që urgjentisht të merret me këtë pjesë të brezit kufitar-Karaçevës.
Problemi numër 2 që i adresohet Qeverisë është mbyllja e 15 shkollave, në mesin e 15 shkollave është edhe shkolla e brezit kufitar në Karaçevë që numëron mbi 100 nxënës.