Mirlind Behluli nga Instituti “EdGuard”, tha në një intervistë se propozimi i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) për mbylljen e shkollave ka dy probleme.
Problemi i parë sipas Behlulit është se ky vendim është marrë pa u koordinuar me institucionet arsimore. Kurse si problem tjetër ai e konsideron mosarsyetimin për këtë propozim.
“Propozimi për mbylljen e shkollave ka dy probleme themelore, i pari është komunikimi jo i duhur ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Komunitetit të Shkollave, pra mësimdhënësve dhe Këshillit të Prindërve. Problemi i dytë është që nuk ka një analizë paraprake dhe nuk ofrohet një analizë në detaje në lidhje me çështjen nëse shkollat janë burim infeksioni apo jo. Nëse Ministria e Arsimit mendon se shkollat janë burim infeksioni atëherë do të duhej të tregonte se sa është numri i të infektuarve dhe e të hospitalizuarve si pasojë e vazhdimit të mësimit me prezencë fizike”, është shprehur ai.
Tutje Behluli ka konsideruar se mësimi do të ishte mirë të vazhdohej me prezencë fizike pasiqë Kosova akoma nuk e ka funksionalizuar si duhet digjitalizimin në shkolla.
Poashtu Behluli ka thënë se mbyllja totale e shkollave është zgjidhje e gabuar, pasiqë, vendimet sipas tij duhet të merren veçmas për secilën komunë bazuar në gjendjen epidemiologjike që kanë.
Madje Behluli e ka konsideruar si të padrejtë që disa sektor të mbyllen e disa të tjerë të vazhdojnë aktivitetet e tyre.
“Nga propozim-vendimi kemi arritur të kuptojmë që nuk ka kufizime për të tjerët sektorë, pra po mbyllen vetëm shkollat. Nuk e di kush e ka menduar kështu që të mbyllen të gjitha shkollat kurse të lejohet gastronomia, sektorët tjerë ekonomikë. Dhe nuk e di sa do të arrijë të ndikojë vetëm mbyllja e shkollave në krejt procesin e infektimit me Covid-19”, ka përfunduar Mirlind Behluli.
/RTV-Okarina/