Drejtori i Administratës Tatimore në Gjilan, Alban Qerimi dhe zyrtari tjetër i këtij institucioni, Bajrush Bunjaku, janë intervistuar mbrëmë për korrupsion nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Burimet e IndeksOnline brenda policisë kanë thënë se pas intervistimit, drejtori Qerimi është liruar në procedurë të rregullt ndërsa inspektori Bunjaku është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, me datën 17 mars 2021, pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka zbatuar urdhëresën për masa të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit ku ishte e paraparë edhe simulimi i veprës penale të korrupsionit, ku personat e dyshuar ishin zyrtarë nga ATK-ja në Gjilan”, kanë thënë burimet e IndeksOnline të afërta me hetimin.
Fillimisht pala e dëmtuar është takuar me të dyshuarin Alban Qerimi dhe me koordinim të tij pastaj është takuar me të dyshuarin Bajrush Bunjaku në lokalin e të dëmtuarit ku ka pranuar shumën e parave në vlerë 2000 euro të cilat kanë qenë para të simulimit të veprës penale të korrupsionit. Pas pranimit të parave i dyshuari Bunjaku është arrestuar në flagrancë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë.
Zyrtarët policor kanë kontrolluar shtëpitë dhe zyrat e punës së të dyshuarve ku janë sekuestruar 2 855 euro para të gatshme, dy telefona, një shtëpizë kompjuteri, dy llaptopa si dhe disa dokumentacione zyrtare.