Prizren: Përurohet shtëpia për personat me aftësi të kufizuara

 

Në Prizren është përuruar shtëpia për persona me aftësi të kufizuara, ku do të strehohen personat të cilet  nuk kanë përkujdesje nga të afërmit apo familjet e tyre.

Në përurimin e kësaj shtëpie që është e para në Prizren, mori pjesë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Islam Thaqi, së bashku me përfaqësuesin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Mentor Morina.

 

 

Me këtë rast, kryetari Haskuka theksoi se kjo shtëpi rezidenciale, është ndërtuar në cilësinë e standardeve të larta dhe tani e tutje do të ofrojë 24 orë shërbime të ndryshme të pandërprera si: Strehimi, higjiena, ushqimi, shërbime mjekësore nga stafi profesional, tanimë i rekrutuar, aktivitete të ndryshme sociale si dhe të gjitha shërbimet tjera të nevojshme, në bazë të standardeve për shërbime profesionale sociale dhe familjare.

Drejtori i Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Islam Thaqi, deklaroi se kapaciteti i kësaj shtëpie, është deri në 14 persona dhe se ekipet e DPMS dhe MPMS-së kanë kryer një punë të jashtëzakonshme deri në përfundim të projektit.

Në fund, kryetari Haskuka falënderoi MPMS-në për këtë bashkinvestim, si dhe Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe Qendrën për Shëndetin Mendor, për bashkëpunimin me drejtoritë e Komunës së Prizrenit, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për personat e strehuar në këtë shtëpi.

\RTV-Okarina\