Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, zbarkimin e ushtarëve të FSK-së në mision paqeruajtës në Kuvajt e ka krahasuar me hapin e astronautit Neil Amstrong në Hënë.
Quni u ndje krenar me këtë arritje, pasi që flamuri i Kosovës po lartësohet krahas flamujve të ushtrive më të fuqishme.
“Ky hap mund të duket i vogël për ushtarin që do të vendosë këmbën me rastin e zbarkimit në këtë mision historik. Ashtu sic ishte i vogël edhe hapi i astronautit Neil Armstrong kur zbarkoi në Hënë. Por është po aq i madh ai hap për Kosovën siç ishte hap i madh për njerëzimin kur njeriu i parë pushtoi gjithësinë.
E hapa të tillë të vegjël janë hedhur disa herë ashtu siç i kanë hedhur ushtarët e FSK-së në trajnimet, përgatitjet, shkollimet dhe ushtrimet e tyre të pareshtura për të arritur deri në pikën kur bëhemi faktor i rëndësishëm i mbrojtjes dhe sigurisë për paqen botërore. Ne sot kemi të drejtë të jemi krenarë, sepse flamuri ynë po lartësohet përkrah flamujve të ushtrive më të fuqishme”.
/RTV-Okarina/