Në Podujevë një i mitur plagos një bashkëmoshatar

Një tentim vrasje ka ndodhur ditën e shtunë në Podujevë, kur një i mitur ka plagosur një bashkëmoshatar.

Policia bën të ditur se rreth orës 20:00 një i mitur ka plagosur me armë zjarri viktimën mashkull kosovar po ashtu të moshës së mitur.

“Fsh. Kërpimeh , Podujevë 06.03.2021-20:00. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar – i moshës së mitur për shkaqe ende të panjohura ka plagosur me armë zjarri viktimën mashkull kosovar po ashtu të moshës se mitur. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm”, thuhet në raportin e Policisë.

Tutje, në raport thuhet se njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja te cal. 7.65 mm.

“Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bërë bastisja e shtëpisë së të dyshuarit i cili është arrestuar dhe nga i njëjti është konfiskuar arma Zoraki me tre fishekë e cal. 7.65 mm, që dyshohet se është përdorur në rast”, njofton Policia.

Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.