Pas një audio video-incizimi, të publikuar në media, përmes të cilit pretendohet se Dardan Stublla – bashkëshorti i kryediplomates kosovare dhe kandidates së AAK-së për deputete, Meliza Haradinaj-Stublla, ka blerë me para votat për gruan e tij, ka reaguar ai duke thënë se video është e inskenuar.
Në një shkrim të gjatë të publikuar në profilin e tij në Facebook, Dardan Stublla, mohon blerjen e votave për gruan e tij dhe thotë se rastin e ka denoncuar edhe në polici.
“Kjo video është komplet e inskenuar nga grupet kriminale që funksionojnë në shërbim të interesave të ngushta e personale, që kanë prapa persona të caktuar në përkrahje ‘të sapo aderuarve’ në listën për deputetë në AAK, të cilët mendojnë se betejat politike fitohen përmes inskenimeve, shantazheve …. Besoj dhe shpresoj se Prokuroria e Shtetit shpejtë do të zbardhë të vërtetën e t’i zbulojë ndytësirat që dëshirojnë të njollosin emrin tim dhe të familjes sime, por më lejoni të tërheqë vëmendjen tuaj në disa nga gënjeshtrat dhe fabrikimet e ulëta që janë përdorë në këtë video”, shkruan Stublla.