Paraburgim ndaj një personi në Ferizaj për dhunë në familje

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.B., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 1 dhe veprës penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Siç njoftohet, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Habib Zeqiri, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 2 mars 2021 në Ferizaj, në shtëpinë e tyre, pas mosmarrëveshjeve paraprake, ka kanosur dhe lënduar tani të dëmtuarën bashkëshorten e tij.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Tutje theksohet se sipas vlerësimit të gjyqtarit të  procedurës paraprake, janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat ligjore të KPPRK-së, duke pasur parasysh se i pandehuri deri në momentin kur dyshohet të jetë kryer vepra penale ka jetuar në një hapësirë me të dëmtuarën, ekziston rreziku që i njëjti të ndikojë në rrjedhën normale të procedurës penale, ngase duke parasysh karakteristikat e të pandehurit i njëjti lehtësisht mund të ndikojë në forma të ndryshme tek e dëmtuara, e që si rrjedhojë do ta vështirësonte këtë çështje në faza tjera të procedurës, ndërsa po të gjendet në liri, mund të përsërisë vepra të tilla penale, sidomos karshi tani të dëmtuarës.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.