Veteranët e politikës që mbetën jashtë Kuvendit


Disa ish-deputetë të LDK-së e PDK-së e AAK-së nuk arritën të bëhen deputetë. LVV me deputetë të rinj.

Kërkoi vota tek ky komunitet gjatë fushatës zgjedhore.

Por, Valbonë Kryeziu nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, nuk arriti që të marr më shumë se 2 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Më mirë nuk doli as Bekim Rrahmani nga Nisma Socialdemokrate, që grumbulloi veç 32 vota.
Me kaq pak vota, Kuvendi për ta është shumë larg.

Kurse, të tjerë mezi arritën të bëhen deputetet, ndonëse pritjet ishin ndryshe.

Meliza Haradinaj nga AAK mezi arriti që me 4 424 vota ta sigurojë një ulëse në Kuvend, njëjtë si Rrezarta Krasniqi e LDK-së që mori 5526, apo Floretë Zejnullahu nga PDK me 6 475.

Me vështirësi, ulësen në Kuvend e fitoi edhe Haki Abazi nga LVV me 7627 vota.

Më shumë vota se ky i fundit, por edhe disa anëtarë të vjetër të LVV-së mori aktorja Adriana Matoshi me mbi 10 mijë, e cila garoi për herë të parë.

Befasi ishin edhe votat e Mimoza Kusari Lilës me mbi 55 mijë e Armend Mujës me mbi 44 mijë të tilla.

Nga LVV të gjithë, por disa nga ish-deputetët e LDK-së nuk arritën të fitojnë mandat në këtë legjislaturë.

Janë Ministri në detyrë i infrastrukturës, Arban Abrashi, Besa Gaxherri, Faton Bislimi, Lirie Kajtazi, Fetah Rudi, Doruntinë Maloku, Frashër Demaj, Ardian Shala, Shkëmb Manaj e Xhavit Uka, vetëm disa nga të cilët nuk morën votat e mjaftueshme.

Nga PDK do të mungojë Kujtim Gashi, Bajrush Xhemaili, Sejdi Hoxha, Gazmend Bytyçi, Evgjeni Thaçi, Besa ismaili e Valdete idrizi, por u rikthye Xhavit Haliti që nuk u zgjodh në 2019 dhe Hajdar Beça.

As ish-deputetja e AAK-së për disa legjislatura me radhë, Teuta Haxhiu, e ministri në detyrë i drejtësisë, Selim Selimi, nuk do jenë pjesë e Kuvendit këtë mandat.

Aderoi në PDK para zgjedhjeve, por biznesmeni Ramiz Kelmendi nuk do jetë pjesë e Parlamentit, siç nuk do të jetë as ish drejtori i policisë Rashit Qalaj, e ish-analisti Faton Avdullahu, që së fundmi iu bashkuan partisë.

Garoi për herë të parë me LDK, por bashkëpunëtori i ngushtë i Rugovës, Adnan Merovci, nuk u bë deputet, e fatin e tij e pati edhe ish-prokurori Sylë Hoxha që aderoi në këtë subjekt politik para zgjedhjeve.

Deputetë do bëhet Agim Veliu nga LDK, Ardian Kastrati e Adelina Grainca nga PDK, e Meliza Haradinaj nga AAK, trasmeton Indeksonline

Nga Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë në Kuvend do jetë Donika Gërvalla, Vasfije Krasniqi, Avni Dehari, Shqipe Selimi e shumë të tjerë.