Këtë vit, “Epopeja e UÇK-së” mbyllet me koncert pa praninë e publikut

 

Më 5, 6 dhe 7 mars do të shënohet 23 vjetori i “Epopesë së UÇK-së”. Për dallim nga vitet e mëparshme, ky manifestim këtë vit do të shënohet ndryshe si pasojë e situatës me pandeminë COVID-19.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ka bërë publike agjendën e aktiviteteve gjatë këtyre tri ditëve.

 

 

Aktivitetet nisin të premten më 5 mars, ku në të gjitha shkollat e Kosovës ora e parë e mësimit do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Në orën 12:00 do të jetë parada e FSK-së në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë (për shkak të pandemisë do të zhvillohet pa praninë e publikut).

Më 6 mars, aktivitetet do të nisin me homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për tu mbyllur pastaj me akademi përkujtimore në sallën e kuqe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

 

 

Të dielën, më 7 mars do të mbahet manifestimi tashmë tradicional “Nata e Zjarreve” në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Aktivitetet do të mbyllen me një koncert pa praninë e publikut që do të mbahet në stadiumin e futbollit në Skenderaj.

/RTV-Okarina/