Hyseni: Lajçak më tha se po vazhdoi dialogu si e filluam, marrëveshja brenda pak muajsh

 

Koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ka thënë se edhe ai të martën është takuar me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Kisha një takim përmbajtjesor me Lajçakun. Ai kishte dëshirë të takohej me mua dhe të jepte perspektivën e tij se si e shihte ai vazhdimin e dialogut të rinisur në korrik të vitit të kaluar. Kishte ardhur për të mësuar më shumë për pikëpamjet e liderëve të partive politike dhe në veçanti partisë fituese”, tha Hyseni për Klan Kosova.

Hyseni ka thënë se dialogu i rinisur dhe që u udhëheq nga Qeveria Hoti ka bërë një përparim të ndjeshëm në trajtimin e elementëve kryesorë të një marrëveshje gjithëpërfshirëse.


“Qeveria në detyrë dhe unë si koordinator jemi kujdesur që të paraqesim dhe ‘imponojmë’ te ndërmjetësi i BE-së një kornizë të qartë parimesh se si duhet zhvilluar dialogu dhe se çka duhet të përmbajë ajo pako gjithëpërfshirëse. Dhe më e rëndësishmja që çfarëdo marrëveshje s’guxon të prekë sovranitetin dhe karakterin unitar të vendit. Rregullimi kushtetues nuk guxon të preket dhe këtë e ka pasë të qartë Lajçaku”.percjell telegrafi

Hyseni, që kishte deklaruar se dialogu është çështje muajsh dhe assesi vjetësh, tha se rrjedha e dialogut u ndal për shkak të rënies së Qeverisë Hoti.

“Dialogu ishte në rrjedhë të shëndetshme që pashmangshëm çonte në një njohje reciproke Kosovë-Serbi dhe besoj që edhe pas kësaj ndërprerje qeveria e ardhme do ta vazhdojë aty ku e kemi lënë.

Lajçak mua sot ma ripërsëriti se po që se vazhdon procesi në atë kornizë në të cilën është filluar për pak muaj mund të arrihet (marrëveshja)”, tha Hyseni