Përurohet ura e vendosur nga FSK në Kamenicë

 

Sot është përuruar ura e vendosur nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në Hajnoc të Kamenicës, pas shembjes që kishte pësuar muajin e kaluar, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati duke u shprehur falënderues ndaj FSK-së, tha se operacionet e tyre si gjithherë po i bëjnë krenar të gjithë.

 

 

“Sot është në ditë e veçantë ku po inaugurojmë këtë urë të ndërtuar nga FSK-ja. Jemi shumë falënderues ndaj secilit që ishte në këtë proces. Ky operacion emergjent për t’i mundësuar një pjesë të qytetarëve tanë të lëvizin dhe komunikojnë lirshëm me pjesën tjetër të komunës është vet treguesi i nevojës së urave. Vetëm të lidhur dhe bashkuar mundemi. Si gjithherë operacionet e FSK-së na bëjnë krenar, këtë herë edhe më shumë sepse reaguam ndaj një fatkeqësie natyrore me shpejtësi për të rikthyer komunikimin në fshatra, fëmijëve, pleqve të sëmurëve të gjithëve pa dallim”, tha ai.

Pjesë e përurimit të urës lëvizëse ishte edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, i cili tha se vendosja e saj pasqyron vlerat e humanitetit dhe solidaritetit të ushtarëve të FSK-së.

Ndërsa, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral Enver Cikaqi tha se në situata krizash, FSK-ja gjithmonë do të gjendet pranë qytetarëve.

Si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, muajin e kaluar një pjesë e madhe e fshatra të Kamenicës dhe qyteteve tjera u vërshuan nga uji.