Maqedonia e Veriut është duke pritur konstituimin e institucioneve në Kosovë për të vendosur për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti thotë se kjo mbledhje duhet të shfrytëzohet që të jetë në dobi të dy vendeve.
Ahmeti përshëndet procesin e rregullt të zgjedhjeve në Kosovë, të cilën e quan vlerë të çmueshme demokratike. Derisa edhe uron kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për fitoren e 14 shkurtit. Ndërkohë thotë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të ketë një epilog përfundimtar, e jo të zvarritet.
Ahmati thotë se Kurtin në qeverisje e presin sfida të vështira.
“Uroj që zotëri Kurti në radhë të parë të ketë shëndet dhe tani me përballje që e presin sepse vjen në rrethana dhe situatë tepër të vështirë. Vjen në një moment që shumë çështje kërkojnë zgjidhje, duke filluar që nga sundimi i ligjit dhe deri tek zgjedhja e problemit përfundimtar mes palës së Kosovës dhe Serbisë. Kështu që po t’i prij shëndeti, nuk do t’i mungoj në instalimin e vlerave për të cilat ka fituar dhe është votuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës”, thotë ai.
Duke përshëndetur mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, Ahmeti thotë se kjo është një vlerë shumë e çmueshme e cila duhet të vazhdojë.
“Është shumë e rëndësishme për opinionin vendor, rajonin dhe Evropën që zgjedhjet kanë shkuar për sëmbari në një proces demokratik të pranueshme nga të gjitha palët konkurruese. Kështu që ka qenë një afirmim i vlerave këto zgjedhje që kanë bërë për opinionin vendor dhe ndërkombëtar. Uroj që kjo traditë për sëmbari të vazhdojë se është një vlerë tepër e çmueshme. Një vend demokratik vlerësohet nga zgjedhjet si i bënë dhe si organizon dhe a kontestohet nga palët konkurruese. Kështu që ky proces duhet të përshëndetet”, deklaron ai.
Ndërkaq, thotë se problemi i Kosovës me Serbinë është problem i tërë rajonit dhe Evropës. Për këtë, kërkon një zgjedhje dhe epilog përfundimtar, pasi sipas tij duke zvarritur lëndohen edhe të arriturat e deritanishme.