Ai fitoi me 71 vota në raundin e tretë, pasi në dy raundet e para nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve. Zgjedhja e tij u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare të cilat dy herë radhazi ndërprenë seancën duke hedhur gaz lotsjellës.
Në pjesën e parë të seancës, deputetët e opozitës njëri pas tjetrit diskutuan kundër zgjedhjes së Thaçit në postin e presidentit, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafa, për veprime të dëmshme kundër Kosovës. Në debatet e tyre, ata vunë theksin te marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë, si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi
Deputetët e opozitës shfaqën dyshimin se kandidati për president, Hashim Thaçi, mund të ketë bërë lëshime të reja përballë Listës serbe në shkëmbim të votës së tyre në favor të zgjedhjes së tij.
Derisa po zhvilloheshin raundet e votimeve, jashtë parlamentit, policia përdori gazin lotsjellës dhe “topat e ujit” për të shpërndarë grupe protestuesish që hodhën shishe me benzinë në kundërshtim të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Të paktën 11 pjesëtarë të policisë dhe një protestues janë lënduar gjatë përleshjeve.
Hashim Thaçi detyrën e presidentit e mori më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës.