Mbrëmë në mesnatë është sulmuar fizikisht gazetari Visar Duriqi, autor i emisionit hulumtues “Indoks”.
Sulmi fizik ndaj tij është bërë nga tre persona ende të panjohur. Tre persona e kishin pritur gazetarin Duriqi, para hyrjes së banesës së tij.
Ai është sulmuar posa ka dalë nga vetura e tij.
Në këtë kohë Duriqi kishte qenë duke u kthyer në banesë, pas pjesëmarrjes në debatin televiziv Politico, në Kanal 10.
Duriqi ka marrë lëndime dhe është trajtuar mbrëmë në Emergjencën e QKUK-së.
Policia ka dalë në vend ngjarje dhe është duke e hetuar rastin.