Bajrami: Aktivitetin tim do e vazhdoj si deputete

Me kërkesë të saj, Hykmete Bajrami, është liruar nga detyra si ministre e Financave nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, shkruan IndeksOnline.

Bajrami ka reaguar në “Facebook” duke falenderuar bashkëpunëtorët ku kaluan sfida të mëdha në kohën e pandëmisë.

“Përkundër situatës së vështirë ekonomike, me recesionin më të thellë ekonomik në vitet e fundit, ne kemi arritur të ruajmë stabilitetin makro-financiar të vendit, të negociojmë dy programe të rëndësishme me FMN-në dhe me Bankën Botërore, programe këto që kanë për qëllim reforma të rëndësishme strukturore dhe mbështetje buxhetore me mbi 250 milion euro për dy vite”, tha ajo.

Bajrami bëri të ditur se aktivitetin politik do ta vazhdoj si deputete në Kuvendin e Kosovës pas çertifikimit të rezultateve.

Postimi i plotë:

Tё nderuar,

Më lejoni t’ju njoftoj se sot, me 24 shkurt 2021, me kërkesën time, jam liruar nga pozita e Ministres së Financave në detyrë. Aktivitetin tim politik do ta vazhdoj si deputete e LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sapo të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve.

Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj Kryeministrin Hoti për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e përhershme gjatë kësaj periudhe. Poashtu, falënderoj Kryetarin Isa Mustafa për besimin e dhënë për të qenë në krye të një dikasteri të rëndësishëm sikurse Ministria e Financave.

Gjatë kësaj periudhe si udhëheqëse e Ministrisë së Financave, kam bashkëpunuar ngushtë me stafin e MF-së. Së bashku kemi kaluar nëpër mjaft sfida e zhvillime të rëndësishme në përpjekje për t’u përballur me pasojat e pandemisë. MF gjatë kësaj kohe ka pasur dhe ende e ka barrën kryesore institucionale për çështjet që ndërlidhjen me menaxhimin e efekteve ekonomike të pandemisë. Konsideroj se përkundër vështirësive buxhetore të krijuara si rezultat i pandemisë, ne kemi arritur ta bëjmë më të mirën e mundshme. Reagimi i duhur dhe me masa konkrete evidentohet edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare.

Si rezultat i angazhimeve tona të përbashkëta, sukseset janë evidente: aktualisht, MF ka rolin kyç në zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike. Si rezultat i masave të marra, ka indikacione serioze që ekonomia do të kthehet në gjendjen e mëparshme në kohë sa më të shkurtër. MF është ndër institucionet prijëse sa i takon zbatimit me përgjegjësi, transparencë dhe profesionalizëm të të gjitha programeve të punës që derivojnë nga dokumentet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës si: Programi i Punës i Qeverisë, Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, Programi i Reformave Ekonomike, Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Agjenda e Reformave Evropiane, Strategjia Kombëtare për Zhvillim etj.

Si rezultat i qeverisjes profesionale dhe transparente, ne jemi bërë partnerë kredibil me institucionet ndërkombëtare duke rritur kështu kapacitetin absorbues dhe implementues të projekteve të donatorëve dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Përkundër situatës së vështirë ekonomike, me recesionin më të thellë ekonomik në vitet e fundit, ne kemi arritur të ruajmë stabilitetin makro-financiar të vendit, të negociojmë dy programe të rëndësishme me FMN-në dhe me Bankën Botërore, programe këto që kanë për qëllim reforma të rëndësishme strukturore dhe mbështetje buxhetore me mbi 250 milion euro për dy vite.

Kemi punuar me mjaft efikasitet, në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit, me të gjitha odat dhe shoqatat e biznesit. Përmes Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, u është dhënë mundësi grupeve të interesit të përfaqësohen dhe të kontribuojnё me ide e propozime për reforma që synojnë tejkalimin e efekteve ekonomike të pandemisë.

Pёr kёto arritje gjithpërfshirëse, unё u jam mirёnjohёse të gjithë stafit tё Ministrisë së Financave qё me pёrkushtim dhe profesionalizёm keni dhënë kontribut tё çmueshёm nё pёrmbushjen e misionit tonё fisnik për menaxhimin sa më të mirë të parasë publike, menaxhimin e pandemisë, daljes në ndihmë qytetarëve e bizneseve dhe angazhimin e pandërprerë rreth reformave të cilat kanë qëllim rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, dëshiroj që përzemërsisht të falënderoj Kryeministrin, kabinetin qeveritar, kabinetin tim në MF si dhe stafin e Ministrisë së Financave duke iu uruar suksese nё punën dhe angazhimet e mëtejme.

Me respekt,

Hykmete N. Bajrami