Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit njofton se në takimin e tij joformal të mbajtur javën e kaluar, me datë 19 shkurt 2021, ka udhëzuar Menaxhmentin e AKP-së që të mos vazhdoj me valët e shitjes deri në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e datës 14 shkurt 2021.
AKP, gjithashtu dëshiron të bëjë të qartë se ka qenë bashkëpunuese dhe vazhdimisht ka ofruar mbështetjen në vazhdimin e përpjekjeve të secilës qeveri për të ndryshuar strategjinë e privatizimit të ndërmarrjeve dhe pronave shoqërore. AKP, gjithashtu ka ofruar bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Komisionin Hetimor Parlamentar, duke ju përgjigjur të gjitha kërkesave dhe duke shpalosur të gjithë dokumentacionin e kërkuar.
Duke pasur parasysh planifikimet buxhetore të Qeverisë për vitin 2021 dhe obligimet ligjore të AKP-së që të zbatoj ligjin në fuqi, Bordi ka shqyrtuar mundësinë e rifillimit të shitjeve në mënyre që të hyrat buxhetore të arrihen sipas Ligjit për Buxhetin. Sidoqoftë, e ritheksojmë se qysh javën e kaluar, në respektim të procesit të formimit të institucioneve të reja, dhe me qëllim të koordinimit sa më të ngushtë me Kuvendin dhe Qeverinë, Bordi ka marrë vendim për pezullimin e valëve të shitjes.
AKP, në mënyrë të vazhdueshme ka qenë e hapur dhe bashkëpunuese me secilën qeveri, zyrtarët e lartë të institucioneve qendrore dhe lokale konform mandatit të saj ligjor. Kjo praktikë do të vazhdoj edhe në të ardhmen duke respektuar në plotni kornizën ligjore në fuqi dhe obligimet e ndërsjella me institucionet relevante.
Koncepti i transformimit të pronës shoqërore, Ligji mbi Agjencinë Kosovare për Privatizim, dhe procesi i privatizimit në formën e tanishme nuk janë produkte e as vendime të AKP-së, por të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, specifikisht të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
/RTV-Okarina/